Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, e pranon se perspektiva dhe jeta e të rinjve të Kosovës aktualisht nuk është “perfekte”.
Kreu i Qeverisë i bëri komentet, të dielën, duke iu drejtuar të rinjve në konferencën përmbyllëse të Asamblesë së Përgjithshme “Prizreni 2018”, organizuar nga Organizata “Të Rinjtë e Parlamentit Evropian”. raporton Ekonomia Online.
“Të rinjtë tanë po ikin jashtë për punë; edukimi jonë nuk është ende në rregull dhe për të gjetur punë nuk e kanë të lehtë. Pastaj jemi ndër të vetmit që nuk mund të udhëtojmë të lirë, të rinjtë tanë nuk mund të udhëtojnë pa viza dhe kjo është pak diskriminuese”, tha Haradinaj.
Por, kryeministri ka theksuar se Kosova ka perspektivë evropiane dhe ka kërkuar ndihmë nga Bashkimi Evropian e njohje nga Serbia.
“Jugosllavia ka lënduar shumë njerëz në shumë mënyra, ka shkaktuar tragjedi; mirëpo po e lëmë në të kaluarën dhe po ndërtojmë vend të paqes. Ne shohim jetë, perspektivë dhe vlera tek të rinjtë. Fatkeqësisht jeta nuk është perfekte, të rinjtë tanë po ikin jashtë për punë… Por, ne jemi evropian, i duam evropianët dhe nga kjo perspektivë ne kërkojmë ndihmë. Ne kërkojmë nga Serbia ta pranojnë të vërtetën, ta njohë pavarësinë e Kosovës”, tha ai.
Ambasadori i Britanisë së Madhe në Kosovë, Ruari O’Conell, tha se të rinjtë mund të bëjnë ndryshimin dhe i inkurajoi ata të mos heqin dorë edhe atëherë kur përballën me vështirësi.
“Është kënaqësi të shohësh kaq shumë të rinj të motivuar. Kurrë mos e humbni besimin në vete. Ju keni mundësi të mrekullueshme si të rinj. Njerëzit që zgjidhin problemet në botë, si në ekonomi e sfera tjera, nuk janë njerëz të moshës time, por tuajës. Ju mund ta ndryshoni botën prandaj mos hiqni dorë”, tha ai.
Saranda Hajdari, presidente e Parlamentit Evropian në Kosovë, ftoi të rinjtë e Kosovës që ta prezantojnë para botës vendin dhe vlerat e tij.
“Gjatë kësaj kohe kemi diskutuar shumë për Kosovën dhe jam e impresionuar për rezultatet që kemi nxjerrë. E ftoj kryeministrin që të marrë parasysh rekomandimet që kemi nxjerrë nga kjo konferencë”.
Hajdari tha se një çështje që e kanë diskutuar në organizatën që ajo udhëheq është dialogu ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.”Kemi diskutuar për zgjidhjen që mund t’i jepet kësaj çështjeje”, tha ajo.
Ali Okumusoglu, president i këtij sesioni, tha se Kosova e meriton të jetë pjesë e Bashkimit Evropian, raporton Ekonomia Online.
“Është inspiruese kur kryeministri i vendit dhe ambasadori i Britanisë, në vend se të qëndrojnë në familjet e tyre në vikend, i bashkohen konferencës sonë. Kjo nuk ndodh as në Turqi e as në vendet e tjera. Jemi në një vend ku ulen edhe serbë e respektohet mendimi i tyre. Është koha që Kosova të jetë pjesë e Evropës”, tha Okumusoglu.