Kryetari i AAK’së, Ramush Haradinaj që nga lidhja e koalicionit me LDK’në në vazhdimësi ka kundërshtuar veprimet dhe vendimet e kryeministrit Avdullah Hoti. Haradinaj ka kundërshtuar shefin e qeverisë në temën e dialogut, në marrëveshjen e Washingtonit, shuarjen e Task-Forcës dhe tash së fundi në masat e ndërmarra anti-COVID nga ekzekutivi, shkruan Gazeta Express.
Haradinaj dhe Hoti kanë pasur një episodë në rrjete sociale sa i përket shkarkimit të Task-Forcës në kuadër të policisë.
Kreu i AAK’së dhe kryeministri Hoti përmes statuseve të njëpasnjëshme në Facebook thumbonin njëri tjetrin se cili nuk po e lë drejtësinë ta bëjë punën e saj. Ish-kryeministri Haradinaj e kishte kundërshtuar Hotin për çështjen e shuarjes së task-forcës në kuadër të policisë duke e akuzuar atë për ndërhyrje politike.
Hoti rifilloi dialogun të cilin e kishte bllokuar Haradinaj me vendosjen e taksës në fund të vitit 2018.
Formati me të cilin Hoti u kyç në bisedimet me Serbinë nuk i pëlqeu Haradinajt pasi sipas tij përfaqësuesi i AAK’së po lihej jashtë bisedimeve nga ana e kryeministrit.
Kritika kreu i AAK’së pati edhe për Marrëveshjen për Normalizim Ekonomik mes Kosovës dhe Serbisë në Shtëpinë e Bardhë.
Haradinaj kishte kundërshtuar pikën e kësaj marrëveshje kur bëhej fjalë për Liqenin e Ujmanit, për të cilën kishte deklaruar se ishte ndryshuar me insistimin e tij.
Kryetari i AAK’së nuk është ndalur as sot duke kritikuar qeverinë për punën e masave anti-Covid.
Sipas Haradinajt, qeveria e Avdullah Hotit duhet të heq kufizimin e lëvizjes për qytetarët në festat e fundvitit.
“Apeloj tek institucionet e vendit, që të hiqet ndalesa e qarkullimit, të paktën deri pas festave. Kjo do mundësonte qarkullimin e lirë të motrave e vëllezërve tonë që jetojnë jashtë vendit, e që po hasin në vështirësi të arrijnë në shtëpitë e tyre”, ka thënë sot Haradinaj.
Kryeministri Hoti e ka shpërfillur krejtësisht kryetarin e AAK’së lidhur me këto kritika.
Hoti deri më tani nuk i ka dhënë asnjë sinjal Haradinajt se koalicioni qeverisës do ta përkrahë atë në ambicien për president.