Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) ka mbajtur mbledhjen e Këshillit Drejtues me dy pika të rendit të ditës, përgatitje për pritjen e kryetarit të tyre Ramush Haradinaj dhe për çështjen e Demarkacionit mes Kosovës dhe Malit të Zi.
Nënkryetari i kësaj partie, Ardian Gjini, ka thënë se AAK-ja e konsideron si kidnapim të pastër politik ndaljen e Haradinaj në Francë, raporton EkonomiaOnline.
“Mbajtja e tij tash e dy muaj, nuk ka asnjë lidhje as me drejtësinë e as me të shkuarën e Haradinajt, por me qëndrimet e tij parimore në raport me zhvillimet e Kosovës dhe për Kosovën. Iu bëjmë me dije të gjithëve se Ramush Haradinaj nuk është vetëm dhe zvarritja e lirimit të tij, mund të prodhojë pasoja të rënda për paqen dhe stabilitetin. Kjo ndalje nuk është asgjë më shumë se sa kidnapim i pastër politik nga ana e Serbisë”, ka thënë Ardian Gjini.
Ai në emër të Këshillit Drejtues ka kërkuar që këtë të enjte Ramush Haradinaj të lirohet.
“Autoritetet e Kosovës ndërkaq, duhet me urgjencë të vihen në lëvizje, sepse ndalja e Haradinaj nuk ka të bëjë me individin por është sulm ordiner mbi të tashmen dhe të ardhmen e Kosovës”, ka shtuar Gjini.
Në lidhje me marrëveshjen e Demarkacionit me Malin e Zi, nënkryetari i AAK-së ka thënë nëse marrëveshja për Demarkacionin me Malin e Zi ratifikohet në Kuvendin e Kosovës, atëherë ajo do të dërgohet në Gjykatën e Arbitrazhit, raporton EkonomiaOnline.
“Deputetët dhe udhëheqja shtetërore do të mbajnë përgjegjësi politike, morale e historike nëse nuk do ta kuptojnë se nuk kanë as fuqi, as mandat që ta tjetërsojnë territorin e vendit. Çmimi i kalimit eventual të këtij versioni mund të jetë shumë më i lartë se sa kundërshtimi i tij. Kosova nuk ka pse të jetë rast i ndryshëm nga shtetet tjera që kanë pasur konteste me kufijtë e tyre. Demarkacioni duhet të mos votohet dhe kjo çështje të shkoj në rinegocim me Malin e Zi, duke mos përjashtuar edhe arbitrazhin ndërkombëtar si zgjidhje”, ka thënë Gjini.
Gjini gjithashtu ka rikonfirmuar se do të përdorin të gjitha metodat për të kundërshtuar këtë marrëveshje, por ka përjashtuar mundësinë e gazit lotsjellës në Kuvend.