Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj, ka falënderuar qytetarët e Kosovës të cilët iu kanë dalë në ndihmë për t’i strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri.
Haradinaj në një postim në llogarinë e tij në Facebook ka shkruar se ky gjest i qytetarëve përveç një veprim human, është edhe një dëshmi e bashkë ndjenjës, solidaritetit dhe lidhjes tonë të përhershme.
Ai ndër të tjera ka thënë se në të Kosova dhe Shqipëria ishin bashkë në të kaluarën dhe dot ë jenë bashkë në çdo rrugëtim që e ndëron dhe e lartëson kombin shqiptar.
Postimi i plotë i Haradinajt:
“Angazhimi i qytetarëve të Kosovës për t’u dalë në ndihmë dhe për t’i strehuar të prekurit nga tërmeti në Shqipëri, përveç një veprim human, është edhe një dëshmi e bashkë ndjenjës, solidaritetit dhe lidhjes tonë të përhershme.
Secilit nga Ju, ju them FALEMINDERIT!
Krahas obligimeve institucionale që janë kryer me kohë, është për çdo lëvdatë gatishmëria dhe ndihma e shoqatave humanitare, vullnetarëve, organizatave dhe familjeve tona.
Ne kemi arritur në kohë rekorde që të aktivizojmë Parkun Inovativ Trajnues Kosovaro – Gjerman dhe të gjitha mekanizmat e nevojshëm, për strehimin e të ardhurve nga Shqipëria dhe nga nesër, listës së gjatë të vullnetmirëve, do t’u bashkohet edhe Shoqata e Gastronomeve të Kosovës, që për disa ditë, bashkë me organizatat e Prizrenit dhe Shoqatën Jetimët e Ballkanit, do të ofrojnë shujta ushqimi për të strehuarit.
Ngjashëm po punojmë edhe me Shoqatën “Nënë Tereza”, për të ndihmuar në evidentimin e të strehuarve dhe ndarjen e ndihmave ushqimore dhe veshmbathje, për bashkëkombësit tanë.
Ndihmat e dërguara në Kazermën e FSK-së në Prizren nga qytetarët tanë, shumë shpejt do të dërgohen në depot e rezervave shtetërore në Shqipëri, në mënyrë institucionale dhe në bashkëveprim me autoritetet e Shqipërisë.
Ishim bashkë në të kaluarën, do të jemi bashkë në çdo rrugëtim që e nderon dhe lartëson kombin shqiptar”.