Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka folur ashpër për idenë e korrigjimit të kufijve.
Në një intervistë për Klan Kosova, kryeministri i vendit ka treguar se çfarë i ka thënë kancelarit austriak Kurz për idenë e korrigjimit të kufijve.
“Zgjidhja për korrigjimin e kufijve, shkëmbimin është e vdekur. Kjo është ndarje e Kosovës. Ia kam thënë edhe Kurzit dhe të gjithëve. Në BE nuk ka disponim për këtë”, ka thënë Haradinaj.
Duke komentuar deklaratat e Kurzit, Haradinaj tha se ai foli me një qasje “kurtuazie”.
Vlerësoi se ideja për korrigjimin e kufijve ka vdekur.
“Është një qasje kurtuazie. Kjo ide ka vdek, pse me marrë ai përgjegjësi me i thanë tjetrit kështu ose ashtu. Austria nuk është përkrahëse e ndarjes së Kosovës. Këto termat e tjera janë kamuflime, korrigjimi, shkëmbim etj janë kamuflim për ndarje. Më vjen marre me fol kështu se është pallavër politike, ofendim”, theksoi Haradinaj.
Idenë për kufijtë e vlerësoi si ofertë të Vuçiqit.
“Kjo është ofertë e Vuçiqit, që nëse na jepni një copë tokë ta njohim Kosovën. Është rrenë e pastër që dikush e përkrahë këtë ide”, përfundoi Ramush Haradinaj.