Haradinaj flet për “avullimin” e 20 mijë dollarëve në SHBA

Prishtinë | 17 Tet 2018 | 12:39 | Nga Ekonomia Online Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri, Ramush Haradinaj, në konferencën për media ka pranuar se delegacionit të Kosovës i janë “avulluar” 20 mijë euro në mungesë të një organizimi efikas të agjendës së tij diplomatike.

Pavarësisht kësaj, ai thotë se është e pamundshme të kontrollohet agjenda kur je jashtë vendit dhe në rast se do të realizoheshin ato takime, 20 mijë eurot do të mbërrinin efektin e miliona eurove, shkruan EkonomiaOnline.

Një organizim i iniciuar nga Erolld Belegu e ka dëmtuar buxhetin e shtetit për 20 mijë dollarë amerikanë. Me insistimin e tij, në New York, gjatë sesionit të fundit të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, në hotelin “Hilton” në Midtoën ishte rezervuar një sallë për të organizuar pritje për krerët e delegacioneve botërore që merrnin pjesë në këtë ngjarje, por që kurrkush nuk i kishte shkuar.

Haradinaj nga Prishtina ka pranuar se ishte ide e tij dhe se delegacioni prej 20 personash nga Kosova, kishte hequr dorë pasi nuk kishte pranuar askush ftesën.

“Me siguri ka ndodhë kështu, për shkak se atje ideja ishte e një ngjarjeje të përbashkët. Ishte më e vështirë sesa takime bilaterale, edhe kemi heq dorë nga kjo ide. Ka qenë e imja dhe e qeverisë që të ftojmë delegacione në një vend. Mirëpo u konstatua që disa delegacione nuk kanë pranuar ose me u ditë krejt agjenda dhe është ma mirë me shkuar një nga një. Tani me siguri atje polisat e rezervimit janë të tilla, detajet nuk i di, por mund të jetë kështu”, ka thënë Haradinaj.

Duke folur për “avullimin” e këtyre 20 mijë dollarëve, Haradinaj ka pranuar se mijëra dollarë shpenzohen në planet diplomatike dhe se shumë prej tyre nuk arrijnë cakun e planifikuar. Këtë ai e ka quajtur rrezik të punës.

“Shumë mijëra dollarë harxhohen sa i përket përpjekjeve në planin diplomatik jo të gjitha e arrijnë cakun. Është rrezik i punës që e bëjmë, ka edhe të tjera që edhe munden pa e mbërri cakun. Nëse ka ndodhë, por mundet nuk është çudi. Ne kemi pas raste edhe për një takim, është dashur të rezervojmë salla për çdo takim edhe kanë kosto këto salla, mund të vjen, mund të mos vjen”, ka thënë Haradinaj.

“Mirë ish kanë me pas kanë të vetme, por ka edhe plot raste të tjera, kur është e pamundshme me kontrolluar agjendën, kur je jashtë vendit tënd, ti je i detyruar me rezervuar hapësirën. Se me ba me mbërri me i mbledh, i ke aty edhe 20 mijë e mbërrin efektin e shumë milionave, por ekziston mundësia edhe me dështuar ngjarja se je në vend të huaj dhe në vullnetin e të tjerëve”, ka thënë në fund kryeministri Haradinaj.

 

Të ngjashme