Seanca konstituive e Kuvendit të Kosovës do të mbahet javën e ardhshme. Kështu bëjnë të ditur burime të Klan Kosovës.
Gjatë takimit të sotëm të kandidatit për Kryeministër nga Koalicioni PAN, Ramush Haradinajt me Presidentin Hashim Thaçi, Haradinaj e ka siguruar kreun e shtetit se i ka votat e domosdoshme për krijimin e institucioneve të reja.
Haradinaj në një prononcim për media ka theksuar se në takimin e sotëm nuk ka pasur dakordim për datën e saktë të thirrjes së seancës konstituive të legjislaturës së re. Presidenti Hashim Thaçi nuk është deklaruar.
Në takimin që u zhvillua pasditen e sotme në një nga restorantet e kryeqytetit ishin të pranishëm edhe nënkryetari i AAK-së, Daut Haradinaj, si dhe ish-ministri i Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Dardan Gashi.