Avancimi i shërbimeve ajrore në Kosovë është interes i të gjithëve dhe bashkëpunimi me kompanitë serioze është në agjendën e Qeverisë së Kosovës. Kështu tha kryeministri Ramush Haradinaj, pasi priti në takim përfaqësuesin e Bordit ekzekutiv “Germania Airlines”, Sieghard Jahn, i shoqëruar nga zëvendës ambasadori i Ambasadës së Republikës Federale të Gjermanisë në Kosovë, Jan Axel Voss dhe nga Haldun Kokturk, anëtar i Bordit të Drejtorëve dhe Kryeshef Ekzekutiv i Aeroportit Ndërkombëtar të Prishtinës “Adem Jashari”, transmeton Ekonomia Online.
“Gjermania e ka ndihmuar Kosovën në të gjitha etapat e shtetndërtimit dhe tani bashkëpunimi ekonomik është tejet i rëndësishëm dhe Qeveria e vendit është e përkushtuar që ta çoj përpara këtë agjendë”, tha kryeministri Haradinaj.
Sipas një komunikate nga Zyra e Kryeministrit, pas Parkut Inovativ dhe trajnues në Prizren, operimi në Kosovë i “Germania Airlines” është një tjetër dëshmi e përkushtimit të Qeverisë për një partneritet të qëndrueshëm me shtetin gjerman.
Përfaqësuesi i kompanisë “Germania Airlines” tregoi synimet e veta për të zgjeruar operacionet në Kosovë, duke shtuar numrin e fluturimeve në destinacione të reja dhe pretendimin që në një të ardhme të afërt të aplikojë për statusin e kompanisë rezidente.
“Me këtë rast, kryeministri Haradinaj, ftoi kompanitë e tjera gjermane për të investuar në Kosovë, meqë vendi është i hapur dhe i sigurt për investimet e huaja direkte dhe premtoj përkrahje për iniciativa të shëndosha.
Përfaqësuesi i Bordit ekzekutiv “Germania Airlines”, Sieghard Jahn, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritje dhe për mbështetje e dhënë për bashkëpunimin ekonomik mes dyja vendeve”, thuhet në komunikatë.