“Gjermania ka qenë dhe vazhdon të mbetet vend mike dhe mbështetëse e fuqishme e Kosovës në të gjitha proceset, e rëndësishme të vendit dhe në rrugën e integrimit dhe për këtë u jemi mirënjohës e falënderues. Është me rëndësi që kjo përkrahje të vazhdojë edhe më tutje në zhvillimin ekonomik të vendit dhe bashkëpunimi politik dhe ekonomik të fuqizohet edhe më tej”, tha kryeministri në detyrë, i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me delegacionin nga Bundestagu Gjerman pjesë të Nënkomitetit për Parandalimin e Krizave Civile, Menaxhimin e Konfliktit dhe Veprimeve të Integruara, të kryesuar nga deputeti, Ottmar von Holtz.
Kryeministri në detyrë, Haradinaj ka njoftuar delegacionin gjerman për mbarëvajtjen e procesit zgjedhor të zgjedhjeve parlamentare të 6 tetorit, duke i vlerësuar si shembull i mirë i zgjedhjeve të lira, fer dhe demokratike, duke thënë se kjo është dëshmi e stabilitetit institucional dhe forcimit të sundimit të rendit dhe ligjit në vendin tonë, si parakusht për integrim në familjen evropiane.
Më tej, kryeministri në detyrë Haradinaj ka falënderuar delegacionin gjerman për mbështetjen e vazhdueshme të Gjermanisë dhënë Kosovës në të gjitha fazat e shtetndërtimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm të vendit, veçanërisht mbështetjen e shtetit gjerman për procesin e liberalizimit të vizave.
Kryeministri në detyrë Haradinaj, theksoi se procesi i Berlinit i iniciuar nga shteti gjerman mbetet instrumenti më i rëndësishëm i integrimit të Ballkanit Perëndimor në Evropë, dhe si vend Kosova ka qenë tejet konstruktive karshi detyrimeve të saj.
“Në këtë frymë mbështetja e Gjermanisë në procesin e liberalizimit të vizave është e domosdoshme si një e drejtë e qytetarëve tanë dhe një konfirmim i orientimit tonë euroatlantik”, tha kryeministri në detyrë, Haradinaj.
Gjatë takimit është biseduar edhe për çështjen e dialogut ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për të cilin kryeministri në detyrë Haradinaj tha se arritja e një marrëveshje ligjërisht obliguese dhe me njohje reciproke në kufijtë ekzistues dhe përfundimi i këtij procesi do të jetë më rëndësi për stabilitetin rajonal.
Delegacioni gjerman theksuan mbështetjen për Kosovën edhe në të ardhmen në rrugën e saj euroatlantike dhe zhvillimore.