Asnjë fjalë për Çakorrin nuk e ka thënë të mërkurën kryeministri Ramush Haradinaj, kur në prezencë të homologut të tij malazias, Dushko Markoviq, është pyetur nga gazetarët nëse kjo pjesë do të jetë brenda territorit të Kosovës ose jo.
Ai vetëm ka folur për raporte të shkëlqyera me fqinjin perëndimor, për të cilat ka thënë të jenë model për rajonin, shkruan sot Koha Ditore.
Markoviq është pritur nga Haradinaj në Qeveri, përpara se këta të dy, por edhe kryeministri maqedonas, Zoran Zaev dhe shumë personalitete të tjera të merrnin pjesë në hapjen e autostradës Prishtinë-Hani i Elezit, e cila e lidh Kosovën me Maqedoninë e Veriut. Autostrada, po kështu, e shkurton edhe distancën e rrugës Podgoricë-Shkup.
Pas takimit, Markoviq e Haradinaj janë pyetur rreth kontestit kufitar të lindur pas marrëveshjes për demarkacionin.
E homologu i tij malazias, ka theksuar se demarkacioni do të finalizohet pasi të dyja palët ta ngritin një komision të përbashkët dhe të flasin haptas për secilën çështje.