Kryeministri Ramush Haradinaj priti në takim një delegacion të Komitetit Olimpik të Kosovës, të udhëhequr nga kryetari i saj, Besim Hasani.
Kryeministri Haradinaj tha se Qeveria që ai drejton do të ndërmarrë hapa konkretë për krijimin e kushteve më të mira për sportistët, duke u premtuar atyre se do të gjendet shpejt mënyra për kompensimin e subvencioneve, të cilat nuk u janë paguar KOK-ut dhe Federatave në vlerë prej 1 milionë e 600 mijë euro, nga Ministria e Kulturës, Rinisë dhe Sportit.
Kryeministri Haradinaj e falënderoi kryetarin Hasani për kontributin e tij në ndërkombëtarizimin e sportit kosovar dhe pranimin e tij në shumë organizata sportive ndërkombëtare.
Gjatë takimit, u theksua nevoja që të nis zbatimi i Ligjit për Sponsorizime në fushën e kulturës, rinisë dhe sportit.
Nga ana e tij, kryetari i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani, ka uruar kryeministrin Haradinaj për marrjen e detyrës së re.
Bashkëbiseduesit u pajtuan që të ndërmerren të gjitha veprimet në përshpejtimin e studimit të fizibilitetit dhe nisjen e ndërtimit të Qendrës Nacionale për Sport si dhe stadiumit kombëtar të futbollit, në Bërnicë të Poshtme të Komunës së Prishtinës.