Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka njoftuar për takimin me ambasadorin e Hungarisë në Kosovë, László István, duke theksuar mbështetjen e vazhdueshme të këtij shteti për Kosovën.
“Në takim me ambasadorin hungarez në Kosovë, z. László István, shpreha falënderimin për mbështetjen e vazhdueshme të shtetit mik në proceset integruese”, ka shkruar Haradinaj.
Ai bëri të ditur se gjatë takimit janë ndarë pikëpamje për proceset e ardhshme që e presin vendin, me theks të veçantë në forcimin e bashkëpunimit bilateral.
“Gjatë takimit, me ambasadorin István ndamë pikëpamjet tona për proceset e ardhshme që na presin si shtet, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit të mëtejshëm dhe forcimit të marrëdhënieve dypalëshe drejt realizimit të objektivave tona strategjike, veçanërisht anëtarësimit të Kosovës në NATO”, theksoi ai.
Haradinaj e vlerësoi mbështetjen e Hungarisë si të rëndësishme në rrugën e Kosovës drejt integrimeve euroatlantike dhe anëtarësimit në NATO.