I pari i Qeverisë, Ramush Haradinaj, nga vendlindja e tij Gllogjani iu është kundërpërgjigjur presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, i cili deklaroi në Munih se nuk dihet se ku janë kufijtë e Kosovës, duke i thënë se e gjithë bota e dinë ku i ka Kosova kufijtë, duke shtuar se ato ruhen edhe nga NATO.
Sipas Haradinaj kufiri është në Qakorr e në Kullë, ndërkaq me Serbinë do të njihen vetëm në kufijtë ekzistues.
“Kufiri është në Qakorr edhe në Kullë, me Serbinë ne duhet të njihemi në kufijtë ekzistues”, tha ai, duke shtuar se këto kufij ruhen nga NATO dhe te të njejtat patrullojnë policitë kufitare të të dy vendeve.
“Qëndrimi i presidentit Vuçiq në Munih se nuk e dinë se ku janë kufijtë, nuk është ashtu, krejt bota e dinë ku janë kufijtë mes Kosovës dhe Serbisë, NATO e din, NATO i run ata kufij, ne i ruajmë ata kufinjë, policitë kufitare tonat e të atyne patrullojnë e shihet nëpër ata kufij, nuk do të ketë tjerë në mes të Kosovës dhe Serbisë”, deklaroi Hardadinaj.
I pari i ekzekutivit, tutje shtoi se nuk janë kundër të drejtave të komuniteteve, por nuk do të lejojnë që të krijohet një republikë Brenda republikës.
“Askush nuk është kundër të drejtave të komuniteteve, ne kurrë skishim pas qef me pa dikan në vështirësi tu jetu në vendin tonë, në këtë rast edhe serbët, por, kërkush ma nbotë nuk lejon brenda ni shteti mu kriju një shtet brenda një shteti, ata që ka bo Republika Serbe në Bosnje, as Kosova smundet me leju një republikë, brenda Republikës, është e pamundur kjo me ndodh nuk ndodh kjo”, shtoi ai.
Haradinaj ka thënë se këtë fjalim po e mban për të sqaruar popullin e Kosovës dhe miqtë ndërkombëtarë, ndërkaq, ka shtuar se pranojnë njohjen e Serbisë, vetëm në kufijtë ekzistues.