Kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj, ka kërkuar nga Qeveria që Ligjin për Paga ta rikthejë në procedurë dhe ta ndryshojë aty ku ka pasur vërejtje, raporton Ekonomia Online.
Ai këtë kërkesë e ka shprehur në një konferencë për medie të mërkurën.
“Ligji i Pagave është ligj bazë në të cilin është punuar 10 vjet dhe kemi arrit me finalizuar në Qeveri dhe me votuar në parlament. Kërkojmë prej qeverisë që ta rikthen në procedurë dhe ta amadamenton aty ku ka pasur vërejtje dhe ta kthen në Kuvend”, tha Haradinaj.
Ndërsa, shefi i Grupit Parlamentar të kësaj partie, Besnik Tahiri ka pasur tri kërkesa për Qeverinë sa i përket Ligjit për Paga.
“Qeveria të vazhdojë me rregullimin e pagave të këtij ligji, kërkojmë prej qeverisë që në planifikim buxhetor të inkorporohet buxhetimi i këtij ligji dhe e treta që ato amandamentime që sugjerohen në Gjykatën Kushtetuese të inkorporohen në Ligj dhe të kthehet në Kuvend”, tha Tahiri.
Fatmir Gashi nga AAK-ja, thotë se Ligji për Pagat nuk kishte pasur asnjë problem.
“Implikimet buxhetore kanë qenë mujore diku rreth 8 milionë dhe vjetore diku 190 milionë euro, për këtë ligj këto mjete kanë qenë të ndara në buxhetin e viti 2019, kështu që Ligji si ligj nuk kishte me pasur asnjë problem për arsye se në atë tempo qe ka shkuar ka mbuluar këtë kërkesë. Ne jemi dalë nga qeveria dhe gjendja e llogarisë bankare ka qenë 486 milionë euro që i kemi lanë Qeverisë së ardhshme”, tha ai.