Haradinaj i kërkon Qeverisë heqjen e kufizimit të lëvizjes dhe hapjen e sallave të dasmave

Prishtinë | 19 Maj 2021 | 16:35 | Nga Ekonomia Online

I pari i AAK-së, Ramush Haradinaj ka propozuar që Qeveria Kurti t’i heq disa masa si ajo e kufizimit të lëvizjes dhe hapjen e sallave të dasmave.

Kjo gjë sipas Haradinajt duhet të ndodhë pikërisht në kohën kur pritet të vijnë mërgimtarët nga vendet e BE-së e të ShBA-së.

Postimi i plotë:

Të nderuar qytetarë,
Në Bashkimin Evropian dhe SHBA, ku ndodhet shumica dërmuese e mërgatës sonë, vaksinimi po shkon drejt përmbylljes.

Që nga muaji qershor, fillojnë edhe pushimet e fëmijëve nga shkollat, kështu që nga qershori e deri në shtator, mund të presim ardhjen e bashkëkombasve tonë në Atdhe.

Kosova duhet të jetë e përgatitur për ardhjen e familjarëve tonë. Shumica dërmuese e tyre do të jenë të vaksinuar kundër Covid-19, andaj, qëndrimi i tyre në vendlindje, duhet të jetë sa më pak i bezdisshëm dhe nga Kosova, ata duhet të kthehen me kujtimet më të mira.

Për këtë arsye, Aleanca i propozon Qeverisë së Kosovës, masat me sa vijon:
1.Heqjen e plotë të ndalimit të qarkullimit;
2.Heqjen e kufizimeve të orarit të punës së gastronomisë;
3.Heqjen e kufizimeve të aktiviteteve për organizimin e eventeve, përfshirë edhe hapjen e sallave të dasmave.

Këto masa, duhet të përcjellën me rregulla të reja për kujdes të shtuar shëndetësor si dhe monitorim më rigoroz përmes organeve përkatëse qeveritare e komunale.

Një qasje e tillë do të ndryshonte për të mirë edhe treguesit ekonomikë, në mungesë të instrumentave të tjerë financiarë.

Mërgimtarët si gjithherë, ashtu edhe tani, nëse iu ofrohen kushte të mira për ardhjen e tyre në Atdhe, do të jenë infuzion i mirëpritur dhe i domosdoshëm për ekonominë tonë që gjendet në krizë të thellë.
RH

Fjalë Kryesore:

Të ngjashme