Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, gjatë një vizite në komunën e Mamushës ka folur edhe për taksën e vendosur ndaj shteti serb, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se ata si qeveri i kanë pikëpamjet e tyre dhe beson që edhe koalicioni qeverisës do ta respektojë vendimin e Qeverisë.
“Vendimi është marrë si reaksion ndaj qasjes së Serbisë, por është ditë që ka reaksion në ekonominë e vendit sidomos në ekonominë prodhuese, por duhet të bëhet kujdes me sipërmarrësit tonë dhe duhet të rritet kontrolli kufitar që mos t’i lejojmë të hyjnë mallrat paligjshëm. Ne i kemi pikëpamjet që është më mirë me heq, por besoj që vendimin do ta respektojnë pasi që është vendim i Qeverisë”, tha Haradinaj.
Kryeministri tha se dëshira për ta hequr taksën është, por ajo do rrijë në fuqi deri në njohje reciproke me Serbinë.
“Edhe ne kemi qef me heq, nesër do e kishim heqë sikur të na njihte Serbia, por me na qitë kushte nuk bën pasi që nuk parashihet me shku në dialog me kushte”, tha Haradinaj.
Kryeministri bëri të ditur se ai sot ka zhvilluar edhe një takim me drejtorin e Policisë së Kosovës, Rashit Qalaj, ku kanë folur më shumë për sigurinë nga trafikantët e drogës.
“Sot kem pasë një takim me drejtorin e policisë, Rashit Qalaj, organet e rendit duhet ta bëjnë punën e vet, ata që trafikojnë nuk duhet të duken më të zot se krejt shteti”, tha Haradinaj.
Këto komente Haradinaj i bëri në fermën e viçave në Komunë e Mamushës.
Aty Haradinaj u zotua që do i mbështesë të gjitha bizneset.
“Tash jemi me vizitu një prej fermave më të mëdha pra në fermën e viçave. Shihet që kjo është një fermë me standarde më të larta. Ne do gjejmë një mënyrë si qeveri se si të jemi më afër me Mamushën për kërkesat që i kanë. Kemi një lajm të mirë në procese që do të ndodhin”, tha ai.