Haradinaj e Gashi i premtojnë Federatës së Hendbollit buxhet prej 300 mijë €

Prishtinë | 20 Dhj 2018 | 15:09 | Nga Besjana Bajrami Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Kryeministri Ramush Haradinaj tha se buxheti i Federatës së Hendbollit do të jetë 300 mijë euro, raporton Ekonomia Online.

Këtë premtim kreu i ekzekutivit e dha në shënimin e 65-vjetorit të themelimit të Federatës së Hendbollit e Kosovës (FHK).

“Qeveria e vendit i gëzohet sukseseve të sotme dhe dëshmimit të rrugëtimit që kemi bërë. Ngjarja juaj e sotme është domethënëse. Me rregulloren e re dhe kategorizimin buxheti do të shkojë deri 300 mijë euro. Synimi i Qeverisë është t’i përkrahim në kategorinë e subvencioneve”.

“Ligji për sponzorizim do të inkorporohet në të hyrat në korporatë. Nuk është lehtë me qenë sportist në Kosovë. Sportistët në Kosovë kanë prekur majat”, tha ai.

Ministri i Kulturës, Rinisë dhe Sportit (MKRS), Kujtim Gashi, tha se pret që viti i ardhshëm të jetë edhe më i suksesshëm duke u bazuar edhe në rritjen e buxhetit.

“Mua më mbetet ta vërtetoj qe ka qenë një vit i mirë për sportin e Kosovës. Është fat i mirë që klubi Istogu është në 16 më të mirë. Është fat i mirë që kemi mbështetje edhe buxhetore. Është java e fundit ku ne në mënyrë dinamike jemi duke përfundua kategorizimin për të gjitha federatat. Besoj që vitin tjetër do të jetë edhe një vit edhe më i mirë për shkak edhe të rritjes se buxhetit”, tha ai

Presidenti i Komitetit Olimpik të Kosovës, Besim Hasani tha se investimi në sport i kthehet shtetit shumë fish më shume se sa që ka investuar, raporton EO.

“Janë 65 vite, janë tre breza që kanë kaluar. Investimi në sport i kthehet shtetit 2-6 herë. Ne kemi dëshmuar që jo vetëm në sportet individuale i kemi arritur majat por edhe me sportet ekipore i kem arrit”, tha ai.

Presidenti i Federatës se Hendbollit, Eugen Saraçini tha se mundi i sportisteve e ka bërë vendin krenar.

“Gjenerata dhe individ të shumtë u angazhuan gjatë viteve të kaluara. Mundi i tyre bëri që sot të jemi krenar për të arriturat në këtë sport”.

Me këtë rast është shfaqur një film dokumentar që paraqet punën e kësaj federate.

Të ngjashme