Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, i ka quajtur të papranueshme deklaratat e zëvendësministres së shkarkuar të Drejtësisë, Vesna Mikiq, e cila ka thënë se ishte gjenocid sulmi i NATO-s në Serbi, raporton Ekonomia Online.
“Kemi ndërmarrë një veprim dje, ka pikëpamje të ndryshme politika por akuza ndaj NATO-s për gjenocid dhe identifikimet që kanë qenë të zëvendësministres kanë qenë të papranueshme”, tha ai.
Kreu i ekzekutivit, këto komente i bëri në një konferencë për media, pas mbledhjes së Qeverisë së Kosovës.
Ai u bëri apel kosovarëve që jetojnë jashtë Kosovës që ta shfrytëzojnë të drejtën e votës dhe të jenë qytetar aktiv në Evropë.
Ai ftoi palën serbe që të rikthehen në tavolinën e dialogut me marrëveshje përfundimtare për njohje reciproke me kufijtë ekzistues.
“Kam thirrje për kosovarët kudo qe jetojnë ta shfrytëzojnë të drejtën e votës të jenë qytetarë aktiv të Evropës, vendosja e pengesave për dialog apo fajësimi i palës tjetër nuk është në rregull, unë bëj apel që me u rikthy tavolina e dialogut dhe të ketë njohje reciproke por me kufij ekzistues dhe do kishim treg të lirë”, shtoi Haradinaj, raporton Ekonomia Online.
Ai foli edhe për vendimin e së martës në mbledhjen e ekzekutivit, për ndalimin e veprimtarive të lojërave të fatit. Haradinaj tha se për personat qe kanë punuar në këto veprimtari do të aktivizohet të gjej zgjidhje për ta por qe sipas tij mundësitë janë të pakta.
“Çdo ligj e ka koston e vet e ka edhe koston financiare edhe ky Ligj i ka kostot e veta, kosto financiare ajo që mungon në buxhet pastaj edhe kalkulimet se çka ndodh me të, buxheti i ka të hyrat e veta, jemi të gatshëm me u interesuar si me i trajtuar të rinjtë dhe të rejat qe kanë punuar por mundësitë janë të kufizuara, është një llogari e bërë pasojat tjera të këqijat kanë qenë më të mëdhaja se këto të mirat, është mirë që po ndalen ne e kemi kryer pjesën tonë tani është pjesë e Kuvendit”, tha Haradinaj.
Kryeministri tha se me Shqipërinë po mundohen qe të heqin pritjet e gjata në pjesën kufitare Kosovë-Shqipëri dhe tani pret që Shqipëria të bëj hapat e tjerë.
“Ne do bëjmë përpjekje me ta qe mos me ndodh pritjet e gjata në kufi ne e kemi heq pjesën tonë dhe tani do shohim se si do ta menaxhojnë të tjerët”, tha ai.