Haradinaj i shkruan letër Lajçakut: Përpjekja juaj do ta rikthejë dialogun në një proces të pafund

Prishtinë | 19 Pri 2020 | 10:34 | Nga Ekonomia Online

Kryetari i Alenacës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, i ka dërguar letër përfaqësuesit special të BE-së, Miroslav Lajcak lidhur me qëndrimin e partisë në dialogun Kosovë-Serbi.

Haradinaj ritheksoi se qëndrimi për dialogun mbetet i pandryshuar, shkruan EO.

“Dialogu i ndërmjetësuar nga BE nën ish-Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini ka devijuar nga temat e rëndësisë substanciale, ka rrezikuar të arriturat e Kosovës, dhe ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun në të ardhmen”, ka shkruar Haradinaj.

Mes tjerash, Haradinaj ka shkruar se qasjen e tanishme nga Përfaqësuesi i Lartë Joseph Borell dhe Lajcak e sheh si një përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund.

Ndryshe, thotë ai se megjithatë ndërmjetësimin nga BE nën udhëheqje të ShBA-së e sheh pozitive.

Letra e plotë:

Të dashur qytetarë,

Përmes kësaj letre i kam përcjellur Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian për Dialogun, Miroslav Lajçak, qëndrimin e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun Kosovë-Serbi.

RH

Letra ka përmbajtjen si në vijim:

I nderuar Z. Lajcak,

Dëshiroj të ju falënderoj për letrën tuaj të datës 9 prill 2020, si dhe për propozimin për një bisedë telefonike me kërkesë të Përfaqësuesit Special të Bashkimit Europian. Duke pasur parasysh rrethanat e paqarta politike, besoj se një thirrje telefonike do të ishte e panevojshme.

Qëndrimi i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës lidhur me dialogun mbetet i pandryshuar: dialogu i ndërmjetësuar nga BE nën ish-Përfaqësuesen e Lartë Federica Mogherini ka devijuar nga temat e rëndësisë substanciale, ka rrezikuar të arriturat e Kosovës, dhe ka dëmtuar seriozisht kredibilitetin e BE-së për ta ndërmjetësuar dialogun në të ardhmen. Për më tepër, e shoh qasjen e tanishme nga Përfaqësuesi i Lartë Joseph Borell dhe nga ju si një përpjekje për ta zvarritur marrëveshjen përfundimtare dhe për ta rikthyer dialogun në një proces të pafund.

Megjithatë, Kosova e ka mirëpritur rolin e Kancelares Angela Merkel dhe të Presidentit Emmanuel Macron për t’u angazhuar personalisht në marrëveshjen gjithëpërfshirësë ligjërisht obligative.

Kam qenë vazhdimisht i zëshëm dhe i qartë në të kërkuarit e rolit aktiv të ShBA-së në dialog. Tani – situata me energjisë e re nga ShBA për Kosovën, ka rritur shpresat që dialogu Kosovë-Serbi, mbi një dekadësh, do të finalizohet me njohje reciproke në kufijtë ekzistues. Megjithatë, ndërmjetësimin nga BE nën udhëheqje të ShBA-së e shohim si pozitive.

Fotografia e Ramush Haradinaj

Të ngjashme