Ramush Haradinaj nuk do ta ketë më pagën më të lartë në Institucionet e Kosovës. Me ose pa dije, ai ka vendosur që t’ia rrisë pagën edhe Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi për 25 për qind.
Nga 2 906 euro, ai mund të marrë 3 635 çdo muaj duke filluar nga janari 2018.
Krejt kjo pasi në bazë të Ligjit për Presidentin, Thaçi nuk mund ta ketë pagën më të vogël se Kryetari i Kuvendit , Kadri Veseli dhe Kryeministri Ramush Haradinaj, shkruan Gazeta Fjala.
Në bazë të këtij ligji “Paga e Presidentit të Republikës gjithmonë duhet të jetë së paku njëzet e pesë përqind (25%) më e lartë se të ardhurat e përgjithshme të Kryetarit të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe udhëheqësve të tjerë institucional”.
Bazuar në faktin se Haradinaj ka anashkaluar rritjen e pagave mbi bazën e koficientëve kur ka rritur pagën e tij, ligjet në fuqi u garantojnë rritje page edhe Kryeparlamentarit Veseli dhe Presidentit Thaçi.
Kështu, Gazeta Fjala ka kalkuluar pagën aktuale të Kryetarit të Kuvendit të Kosovës e cila është 2,325 euro. Sipas kësaj, paga e Presidentit është 581.25 euro më e lartë, që i bie rreth 2,906 euro.
Ndërkaq, me një rritje prej 25 për qind të pagës së Kryetarit të Kuvendit, automatikisht Presidentit i rritet paga gjithashtu për, që i bie 3 635 euro në muaj.