Nën patronatin e kryeministrit Ramush Haradinaj është mbajtur Akademi Përkujtimore për dëshmorët e kombit, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj tha se është i lumtur që ka marr bekimin e familjes së Ilirit për t’u rivarrosur në Prishtinë, aty ku Iliri nga Tropoja kishte ardhur për ti shërbyer Kosovës për liri.
“Sot është ditë e ndjeshme për atdheun e kombin tonë sepse u deshën 20 vjet e më shumë që të bashkohemi edhe një herë, të krijojmë rrugën tonë të vështirë deri në liri, por edhe obligimet e detyrat e pakryera të atdheut ndaj atyre që u flijuan”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj ka çmuar lartë veprën e dëshmorëve.
“Baci Halit edhe pse me mërzi të veta e ka kuptuar drejt një dëshirë tonën që Iliri të pushoj në Prishtinë edhe Tiranë e çdo kund është në token e vet, por në Prishtinë kthehet tek vendi ku u nis për liri të atdheut, ku e filloi jo vetëm krijimin e idesë së luftës për liri. Ai ishte prej atyre që ndërmori gjitha veprimet që të funksionojnë njësitë e para, vepruesit e parë të UÇK-së, por fitoi besimin e atëhershëm të komandantit Zahir Pajaziti, por edhe bashkëluftëtareve të tjerë”, tha ai, raporton Ekonomia Online.
“Dëshira ime është që porositë më të mira të veprës së Ilirit e Hazirit të jetojnë ndër breza, fëmijët e atyre qe kanë me u rrit në Kosovë të lirë dhe ne të punojmë bashkë, të jemi të bashkuar. Sot mund të ndjehemi të lehtësuar se një borxh e kryem për ata qe dhanë gjithçka për lirinë tonë”, tha Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj, familjarëve Konushevci dhe Malaj u dha nga një dekoratë të “Gjergj Katstriotit Skënderbeut”, në shenjë respekti për bijtë e tyre që dhanë jetën për lirinë e Kosovës.
Ish-ministri i Mbrojtjes së Shqipërisë, Sabit Brokaj ka përshëndetur vendimin e qeverisë për rivarrimin e dy heronjve, Ilir Konushevci dhe Hazir Malaj, që sipas tij është një vendim edukues për të gjitha gjeneratat që vijnë më pas.
“Falënderoj qeverinë për vendimin që e morri për të rivarrosur bashkë dy heronjtë tanë, ky veprim ka kuptim të thellë është një nga veprimet më edukuese për gjeneratat që vijnë”, tha Brokaj.
Brokaj tregoi për historinë e Ilirit kur kishte marrë vendimin të vinte në Kosovë për të mbrojtur atdheun.
Rifat Jashari, në emër të familjes Jashari, ka përshëndetur të gjithë të pranishmit dhe gjithë shqiptarët kudo që janë, familjet e dëshmoreve që sipas tij patën fatin e madh që të japin familjarë të tyre lirisë së Kosovës.
Rrustem Mustafa, i njohur si komandant Remi tha se lufta e UÇK-së, ishte kurorëzim shekullor i lirisë së popullit shqiptar.
“Ngjarja më e rëndësishme për shqiptarët ishte lufta e popullit shqiptar nën udhëheqjen e UÇK-së, e cila luftë është një kurorëzim shekullor i përpjekjeve të popullit shqiptar për liri”, tha Mustafa.
Besim (Avdyl) Malaj, në emër të familjes Malaj dhe Konushefci falënderoi kryeministrin Haradinajn i cili mundësoi që këta heronj të rivarrosen në Prishtinë. Ai tha se këto familje u janë mirënjohës të gjitha autoriteteve që organizuan dhe ndihmuan këto aktivitete.
“Kjo ditë është emocionuese për ne familjet e Ilirit dhe Hazirit, 20 vjet më parë ranë dëshmor në rrugën e lirisë, dora vrastare u këputi në mes ëndrrën për të parë Kosovën e lirë dhe Prishtinën kështu siç është sot kryeqytet i bukur e i lirë në mes të Evropës”, tha Malaj.
Në fund të akademisë përkujtimore, këngëtari Bashkim Gagica ka performuar me këngë kushtuar heronjve të cilët u përkujtuan sot.