Kryeministri Ramush Haradinaj falënderoi për miqësinë dhe bashkëpunimin një delegacion të gjerë prej 60 anëtarësh nga institucione të ndryshme nga shteti i Iowa-s.
Haradinaj falënderoi delegatët nga ky shtet duke thënë se Iowa i qëndroi Kosovës afër në kohën më të vështirë, raporton Ekonomia Online.
“Kosova mburret me miqësinë që ka me Iowa-n, ju qëndruat me neve në kohën më të vështirë, edhe sot jeni me neve, qëndroni me të gjitha kombet që kërkojnë liri, demokraci, respektimin e vlerave që shoqëria jonë ndan. Besoj që ardhja juaj dëshmon që ky parternitet që daton nga viti 2011 dhe deri më tani Kosova ka përfituar dhe ky po bëhet një program serioz”.
Haradinaj ua bëri të ditur anëtarëve prezentë në takim se Kosova është e interesuar të bashkëpunojë edhe më shumë me shtetin e Iowa-s, raporton EO.
“Kosova është e interesuar të rrisë shkëmbimet me shtetin e Iowa-s , ka bashkëpunim në organizata të sigurisë politikës, ekonomisë, në aspektin human, kulturor ne si qeveri dhe qytetarët ju dëshirojmë mirëseardhje. Faleminderit për këtë besim, ne do të jemi së bashku me juve, i kam ftuar ekipin tim dhe i kam kërkuar që ata të jenë në detyrë gjithmonë, dhe ne do të jemi në dizpozicion për të qenë me ju”, ka thënë Haradinaj.