Kryeministri Ramush Haradinaj, në mbledhjen e Qeverisë, ka kërkuar nga vartësit e tij që të merren më seriozisht me punët që ndihmojnë Kosovën në integrimin evropian.
Haradinaj tha se Kosova është në fazë kritike të bashkëpunimit me Bashkimin Evropian (BE), prandaj sipas tij, duhet që të gjithë të angazhohen maksimalisht, raporton Ekonomia Online.
Sipas tij, institucionet duhet që të vazhdojnë luftën kundër krimit e korrupsionit.
“Jemi në fazë kritike të bashkëpunimit me BE-në. Ju kisha lut që detyrat që i keni mos i neglizhoni merrni më seriozisht. Janë disa shtete që janë shumë më të rezervuara në veprime dhe Kosova duhet ta bëjë kujdesin maksimal në këtë drejti. Ne duhet të vazhdojmë me punën tonë në luftën kundër krimit e korrupsionit”.
“Vitin që vjen në BE janë zgjedhjet për Parlamentin Evropian. Kosova duhet të ketë argumente të qëndrueshme si për liberalizim të vizave dhe statusin e kandidatit. Ju lus që ta ruani vëmendjen. Është e dhimbshme që e gjithë kjo punë të mos kurorëzohet me sukses”.
Kreu i ekzekutivit ka njoftuar kabinetin qeveritar edhe për takimin që ka pasur me Bordin e “Trepçës”.
“Dëshiroj që të ju informoj që mbajtëm një takim me bordin e Trepçës. Është përmbyll statusi i Trepçës. Ky status i dorëzohet MZhE, ku ajo e dorëzon në qeveri dhe e kalojmë në parlament. Janë disa tema që kanë mbetur të hapura ku sindikata ka kërkuar që të merren parasysh disa nga kërkesat e punëtorëve”.
Edhe ministrja e Integrimit Evropian, Dhurata Hoxha duke informuar kabinetin qeveritar për zbatimin e prioriteteve të agjendës evropiane, ka kërkuar nga ministrat përkatës që t’i kryejnë obligimet që dalin nga agjenda evropiane.
Ajo ka përmendur disa aktivitete që duhet kryer gjatë këtij muaji.
Njëri ndër ta është miratimi në Qeveri i Strategjisë dhe Planit të Veprimit për luftimin e ekonomisë jo formale
“Shumica dërmuese e këtyre aktiviteteve dalin nga rekomandimet e agjendës evropiane. Luftimi i ekonomisë joformale. Veprimi radhës është sigurimi i buxhetit për transferimin e inspektorëve komunal në AUV, për shkak të sigurisë së ushqimit”.
Ministri i Financave, Bedri Hamza, ka kërkuar që nga bartja e inspektorëve të bartet edhe buxheti i inspektorëve nga komunat në nivelin qendror.
Ai luti kolegët që të mos marrin vendime individuale e të tillat t’i adresojnë në Doganë, raporton EO.
“Dogana i zbaton ligjet e Qeverisë së Kosovës dhe nuk mund të ngarkohet me punë dhe detyra nga ministrit individuale të linjës. Kur vjen puna tek vendimet në doganë duhet të jetë vendim nga Qeveria”.