Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj ka reaguar ndaj vendimit të Gjykatës në Shkup për grupin “Kumanova”.
Haradinaj ka thënë se drejtësia duhet të vihet në vend dhe se një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës.
“Kemi përcjellë me kujdes dhe vëmendje të shtuar procesin pas ngjarjeve tragjike në Kumanovë, në maj të vitit 2015 dhe dënimet e shqiptuara nga Gjykata në Shkup. Drejtësia duhet të vihet në vend, duke nisur që nga zbardhja e plotë e ngjarjes me të gjitha dimensionet e saj. Një hetim ndërkombëtar do të ndihmonte zbardhjen e plotë të së vërtetës, për të cilën mundohemi të gjithë” ka thënë Haradinaj.
Haradinaj ka shtuar se Ministri i Punëve të Jashtme, Behgjet Pacolli, ka thirrë konsulta të brendshme me ambasadorin e Kosovës në Shkup për të marr sqarime për këtë vendim të gjykatës.
“Me këtë rast, ministri i Jashtëm i Republikës së Kosovës, Behgjet Pacolli, ka thirr në konsulta të brendshme ambasadorin e Kosovës në Shkup, Ylber Hysa, ndërkohë që për të njëjtën çështje e ka thirrur për sqarim ambasadorin e Republikës së Maqedonisë, në Kosovë” është shprehur Haradinaj.