“Kosova ka nevojë për mbështetjen e vazhdueshme të Austrisë dhe si një vend mik, me të cilin kemi ndërtuar marrëdhënie të shkëlqyeshme bilaterale, presim që Austria të jetë zë i fuqishëm në procesin e liberalizimit të vizave për Kosovën”, tha kryeministri në detyrë i Republikës Kosovës, Ramush Haradinaj, në takimin njohës me ambasadorin e ri të Austrisë, Christoph Weidinger.
Me këtë rast, kryeministri në detyrë Haradinaj, e ka njoftuar ambasadorin austriak për proceset nëpër të cilat po kalon vendi, progresin e arritur në zhvillimin ekonomik, sundimin e rendit dhe ligjit, zbatimin e Agjendës së Reformave Evropiane dhe synimin për anëtarësim në Bashkimin Evropian dhe në NATO.
Kryeministri në detyrë Haradinaj e ka falënderuar shtetin e Austrisë për ndihmën e vazhdueshme në të gjitha periudhat e shtetndërtimit, veçmas në fushën e arsimit, duke theksuar se Kosova është vend potencial dhe ka krijuar ambient dhe klimë të favorshme për investime austriake.
“Kosova ofron mundësi të mëdha për investitorët e huaj dhe për këtë kemi miratuar ligjet më të përshtatshme për investimet e huaja direkte”, ka thënë kryeministri në detyrë Haradinaj, duke shtuar se Austria do të vazhdojë të mbetet partner i rëndësishëm në zhvillimin ekonomik të Kosovës edhe në të ardhmen.
Ambasadori i ri i Austrisë, Christoph Weidinger, e ka falënderuar kryeministrin në detyrë Haradinaj për pritje, duke konfirmuar vazhdimin e bashkëpunimit me institucionet e Kosovës.