Kreu i ekzekutivit, Ramush Haradinaj, pret lajm të mirë nesër për liberalizim të vizave nga ana e Parlamentit Evropian.
“Kosova ka forcën të ecë përpara drejtë Evropës, drejtë NATO-s, drejtë miqësisë me Amerikën, pra botës perëndimore. Këto ditë jemi në pritje të lajmit të mirë edhe nga Parlamenti Evropian për liberalizimin e vizave,” shprehet Haradinaj, raporton EkonomiaOnline.
Këto komente ai i ka bërë pas takimit me liderin e Partisë Demokratike Shqiptare në Maqedoni, Menduh Thaçin.
Parlamenti Evropian më 13 shtator do të votojë rekomandimin për liberalizimin e vizave për Kosovën, bënë të ditur përmes një njoftimi Komiteti për liritë qytetare, drejtësi dhe çështje të brendshme (LIBE) i Parlamentit Evropian.
Pas këtij votimi, do të konfirmohet mandati për fillimin e bisedimeve me vendet anëtare të BE-së, në mënyrë që Kosovës t’i liberalizohen vizat.
Bisedimet në emër të Parlamentit Evropian do t’i udhëheqë, Tanja Fajon.
Komisioni Evropian më 18 korrik të këtij viti, vendosi se Kosova i ka përmbushur gjitha kriteret dhe i rekomandoi Bashkimi Evropian të liberalizojë vizat për qytetarët e Kosovës.
Kosova është vendi i vetëm në Ballkanin Perëndimor, qytetarët e së cilës nuk gëzojnë të drejtën e lëvizjes së lirë në zonën e Shengenit.