Kryeministri Ramush Haradinaj tha se kompromisi më i dhimbshëm me Serbinë është veç njohja e cila nënkupton një lloj falje.
Këto komente ai i bëri pas mbledhjes së qeverisë, duke shtuar se njohja reciproke me Serbinë është e dhimbshme duke pasur parasysh të kaluarën dhe masakrat e bëra në Qyshkë, Meje – Krushë e Madhe.
“S’ka kompromis ma të dhimbshëm, të gjithë jemi të vetëdijshëm se vet fakti i njohjes me Serbinë nënkupton një lloj falje. Pra, kur njihemi reciprokisht është kompromis i dhimbshëm për Krushën, për Mejen, për Lubeniqin, për gjithë këto vende, pra ky është kompromisi i dhimbshëm. Jo se falen krimet në aspektin ligjor, por është një lloj falje, një lloj pajtimi nga moment i njohjes reciproke i lidhjes së marrëdhënieve me Serbinë. Pra është një lloj kalimi nga ajo dhimbje e nga ato vuajtje që ka kalu populli jonë. Na e dimë gjysma e popullit ka qenë e zhvendosur jashtë vendit, brenda vendit e dini si ka shku ekonomia familjare, viktimat, dëmet”.