Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj ka njoftuar se ka zhvilluar biseda me kryetarët e komunave të Kosovës, të përkatësive të ndryshme partiake e etnike, pas situatës së krijuar me përhapjen e coronavirusit.
Përmes një postimi në llogarinë e tij në Facebook, Haradinaj ka thënë se shqetësim i tyre mbetet mungesa e barnave nga lista esenciale.
“Kërkesë kishte sidomos për furnizim me barëra esenciale, maska e mjete tjera mbrojtëse, dezinfektim të hapësirave publike dhe pako ushqimore për skamnorët”, ka shkruar Haradinaj.
Ndryshe, në orët e para të mëngjesit të së martës, Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik ka njoftuar se është konfirmuar edhe një rast i ri me coronavirus, duke bërë që numri i rasteve në gjithë vendin të shkojë në 16.
Përmes një njoftimi në faqen zytare në Facebook, IKSHP-ja ka bërë me dije se e infektuara ka arritur dje nga Londra dhe se gjendja e saj është stabile.
“Pas mesnate në laboratoret e IKSHPK u konfirmua 1 (një) rast i ri pozitiv me COVID-19. Personi i gjinisë femrore, shtetase e Kosovës ka arritur të hënën në Kosovë nga Londra. Gjendja e saj është stabile. Deri tani nē laboratoret e IKSHPK u testuan 271 persona prej të cilëve kanë rezultuar 16 pozitiv në SARS CoV-2”, thuhet në njoftim.
IKSHP’ja u ka bërë thirrje qytetarëve që të mbajnë distancë nga tjeri dhe që të reduktojnë daljet përveç në raste emergjente.
“Në këtë situatë vetëdija dhe ndihma e juaj është e domosdoshme. Mbani distancë nga tjetri. Reduktoni daljet veç në raste emergjente. Ndiqni rekomandimet nga Ministria e Shëndetësisë dhe Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik”, thuhet në njoftimin e IKSHP’së.