Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, ka konfirmuar se koalicioni qeveritar ka arritur konsensus për ratifikimin e marrëveshjes së demarkacionit.
AAK-ja duket se ka hequr dorë që në Ligjin për Demarkacionin të përfshihet raporti i komisionit të ri shtetëror, i njohur si “komisioni Bulliqi”, për çka insistonte LDK-ja.
“Qytetarëve të Republikës së Kosovës ua konfirmoj se nga koalicioni qeverisës është mënjanuar pengesa e fundit politike, që siguron unitet politik në parlament”, ka shkruar Haradinaj në faqen e tij në Facebook.
“Ligji përmban Marrëveshjen e gushtit 2015, deklaratën e përbashkët të dy presidentëve, Thaçi dhe Vujanoviç, si dhe Raportin e Komisionit Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi”, ka shkruar Haradinaj.
Disa medie kanë shkruar se mos-saktësimi se për cilin Komision Shtetëror për shënimin e kufirit me Malin e Zi bëhet fjalë – për Komisionin që ishte udhëhequr nga Murat Meha apo ai nga Shpejtim Bulliqi që ka konstatuar disa lëshime në raportin e komisionit të parë. Kjo mund të lërë hapësirë për interpretime të ndryshme, shkruan Gazeta Metro.
Burime të EO saktësojnë se raporti i Bulliqit do të jetë në projektligj “si orientim” për informim të deputetëve.