Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, ka pritur në takim përfaqësuesit e kompanisë Eurowings të kryesuar nga Drejtori Gjeneral, Thorsten Dirks, kompani kjo që me 19 Qershor në Prishtinë do të hapë bazën e parë për Europën Juglindore.
Kryeministri Haradinaj ka falënderuar drejtorin Dirks për përzgjedhjen e Kosovës si destinacionin e parë për të operuar, në rajonin e Evropës Juglindore, duke thënë se tek Qeveria e vendit do ta kenë një mbështetës të vazhdueshëm dhe një partner besnik.
“I lumtur të kuptoj, përmes Drejtorit Gjeneral të kësaj kompanie, Thorsten Dirks që Eurowings e zgjedhë Kosovën si bazën e saj të për të operuar në rajon dhe për të ofruar mundësi të shumta dhe konkurruese në tregun e aviacionit ajror. Nga ky operim, përveç linjave direkte të reja dhe shtimit të linjave ndërlidhëse, Kosova po shndërrohet në pikë orientuese dhe bazë për zhvillim dhe investime të huaja, me theks të veçantë investimet gjermane”, tha kryeministri Haradinaj, duke shtuar se është tejet e rëndësishme për Kosovën, fakti që po vendoset në hartë për kompani të mëdha për të investuar, siç është rasti me kompaninë prestigjioze Eurowings, pjesë e Lufthansa Group me qasje në Star Alliance, grupi i parë dhe më i madh i linjave ajrore ndërkombëtare.
Ndër tjerash, kryeministri Haradinaj ka shtuar se ky është një lajm i gëzueshëm për Kosovën dhe dëshmi e përkushtimit tonë të përbashkët për rikthimin e besimit të plotë dhe fuqizimin e partneritetit në mes të Kosovës dhe Gjermanisë, në të gjitha fushat.
“Lajmi i sotëm, do t’i paraprijë një investimi tjetër që do të rezultojë me hapjen e rreth 300 vendeve të punës, përmes Akademisë që Eurowings dhe Eurokoha, do ta hapin nga muaji shtator 2019, për trajnimin e stafit dhe ekuipazhit”, ka deklaruar kryeministri Haradinaj
Kryeministri Haradinaj vlerësoi se ky projekt dhe shumë të tjera që janë në rrugë e sipër, janë edhe një dëshmi e përkushtimit për zhvillim ekonomik, dëshmi e besueshmërisë së investitorëve të huaj për të investuar në Kosovë.
Ndërsa, Drejtori Gjeneral, Thorsten Dirks, falënderoi kryeministrin për pritjen duke thënë se e mirëpret gatishmërinë e kryeministrit Haradinaj për bashkëpunim.