Ish-kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, përmes një postimi në Facebook bën të ditur se po merr pjesë në forumin e Atlantic Council në Washington DC, për të diskutuar iniciativën 3 Seas dhe bashkëpunimin me SHBA.
“Në mesin e shteteve të Europës Juglindore iniciativat si 3 Seas duhet të kenë prezencë më të madhe në Ballkanin Perëndimor. Kosova është përcaktuar në orientimin Euro-Atlantik dhe do të jetë gjithmonë kontribuese e paqes dhe stabilitetit”, ka shkruar Haradinaj.
Haradinaj, po ashtu, ka thënë se Kosova është e gatshme të bashkëpunojë, nën udhëheqjes e SHBA-së, kundër shtrirjes së ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkan.
“Në shtrirjen e ndikimit të Rusisë dhe Kinës në Ballkan, bashkëpunimi në mes shteteve të Ballkanit Perëndimor është i domosdoshëm, nën udhëheqjen e SHBA-së. Lidhjet mes nesh në infrastrukturë, energji dhe siguri do të krijojnë mburojë për vlerat Euro-Atlantike. Kosova është gati që të jetë në bashkëpunim të plotë me këtë iniciativë”, shkruan tutje ish-kryeministri.
Gjithashtu, Haradinaj në postim thekson se “Kosova qëndron e palëkundur në këtë orientim, andaj vlera që sjellim ne do të jetë vlerë e shtuar për integrim dhe bashkëpunim në NATO dhe BE”.