Kosova e vlerëson lart kontributin e drejt dhe parimor të ambasadorit Ischinger në negociatat për zgjidhjen e statusit të Kosovës dhe për këtë gjithmonë do të jemi mirënjohës. Ky ishte vlerësimi i Kryeministrit të Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, gjatë takimit me ambasadorin gjerman, Wolfgang Ischinger.
“Ambasadorin dhe mikun e Kosovës, z.Ischinger e njoftova për të gjitha proceset zhvillimore në Kosovë, për prioritetet e Qeverisë, me fokus në rend dhe ligj, integrimet euroatlantike dhe për zhvillimin ekonomik të vendit, në të njëjtën kohë e falënderova për rolin e tij të pazëvendësueshëm në përkrahjen e Kosovës”, tha kryeministri Haradinaj.
Kryeministri Haradinaj tha se Kosova ka bërë progres të rëndësishëm në shumë fusha, por është duke u përballur edhe me sfida. Andaj, do të punohet me përkushtim dhe në bashkëpunim me partneritet në tejkalimin e tyre deri në arritjen e objektivave dhe integrimin e plotë të Kosovës në mekanizma ndërkombëtare, si BE, NATO dhe në OKB.
Ambasadori gjerman, Wolfgang Ischinger, falënderoi kryeministrin Haradinaj për pritjen dhe vlerësoi progresin e Kosovës, duke thënë se do të jetë përkrahës i proceseve të Kosovës në të ardhmen.
Në këtë takim ishte i pranishëm edhe ambasadori i Gjermanisë në Kosovë, Christian Heldt.