Ka nisur sot në Vjenë të Austrisë, Forumi Ekonomik i Vjenës, në të cilin Kosova po përfaqësohet nga Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Ky Forum po shënon Jubileun e tij të 15-të, derisa temë e diskutimit është “Bashkëpunimi Rajonal si pjesë e Integrimit Evropian. Digjitalizimi në Ballkan “.
Fillimisht, Haradinaj ka falënderuar të pranishmit dhe organizatorët për përkushtimin e organizimit të një forumi të tillë ekonomik, me theks të veçantë për temën e digjitalizimit, për të cilën tha se është mundësia më e mirë e lidhjes së njerëzve në botë.
Haradinaj para të pranishmëve dhe Kryeministrave të Ballkanit Perëndimor, foli për realitetin ekonomik dhe infrastrukturor të Kosovës, planet dhe pritjet e bashkëpunimeve mes vendeve të regjionit. Në fjalën e tij, Haradinaj tha se derisa promovojmë fqinjësi të mirë, duhet që edhe trajtimi të jetë i barabartë mes vendeve.
“Ndërsa diskutojmë për lidhjen rajonale, konkurrencën, shkathtësitë dhe mobilitetin, ne tentojmë të harrojmë dhe të anashkalojmë faktin se Kosova mbetet ende i vetmi vend në Evropë që vazhdon të mbetet i mbyllur, duke na u mohuar e drejta për lëvizjen e lirë të vizave. Po, është mbyllur nga BE-ja”, tha Haradinaj, duke theksuar se Kosova i ka përmbushur të gjitha 95 kriteret teknike dhe politike të kërkuara nga BE-ja.
Haradinaj, ka përmendur edhe barrierat ekzistuese jo-tarifore që imponohen vazhdimisht për produktet dhe kompanitë e Kosovës, ndalesat dhe vonesat e zgjatura të kamionëve dhe makinave në vendkalimet kufitare me Serbinë, duke thënë se këto veprime e dëmtojnë drejtpërdrejt GDP-në tonë.
“Nuk mund të zbatohet asnjë marrëveshje ndërkombëtare pa trajtim të njëjtë të palëve”, tha Haradinaj, duke shtuar se vendet e Ballkanit Perëndimor duhet të bashkëpunojnë dhe të kenë një angazhim konstruktiv ndaj parimeve dhe frymës së bashkëpunimit rajonal dhe marrëdhënieve të mira fqinjësore.
Haradinaj, theksoi faktin se Kosova ka përqafuar të gjitha agjendat dhe iniciativat dhe është e përkushtuar që të punojë ngushtë tani dhe në të ardhmen për të nxitur bashkëpunimin rajonal dhe për të krijuar partneritete të reja me secilin fqinj të bazuar në Investimet, Lëvizshmërinë Tregtare dhe Digjitalizimin, si shtyllat kryesore të lidhjes mes nesh dhe rajonit dhe BE-së.
Haradinaj përmendi përparësitë tregtare që i ka Kosova, siç janë kostoja e lirë e punës, çmimi i ulët i energjisë elektrike, tatimi i ulët për pagën maksimale 10%, tatimi i korporatës 10%, faktin që nuk ka tatim mbi dividentët dhe që TVSH është 8% – 18%, investimi në zonat ekonomike dhe faktin se janë eliminuar barrierat e panevojshme për operatorët ekzistues dhe investitorët e rinj që dëshirojnë të investojnë në tregun digjital.
“Nevojat dhe kërkesat e tregut global të punës dhe të të bërit biznes plotësohen nga Kosova. Ne kemi ligje tejet të përshtatshme për investimet huaja direkte, kemi klasë punëtore me kosto të përshtatshme pune, taksa tejet të ulëta në krahasim me vendet e tjera dhe orientim strategjik për zhvillim ekonomik”, tha Haradinaj, duke shtuar se Kosova është komb i ri, me rini të ndritshme, të arsimuar dhe energjike, gati për të qenë një kampion rajonal në sektorin e digjitalizimit dhe më shumë, por se për këtë duhet të kemi edhe të drejtën për të lëvizur lirshëm.
Në fund të fjalës së tij, Haradinaj u ka përcjellë të pranishmëve mesazhin e popullit të Kosovës, duke thënë se ata presin veçanërisht nga vendet e BE-së që të respektojë marrëveshjen e saj me Kosovën, që pas konfirmimit të përmbushjes së 95 kritereve, njerëzit e saj do të kenë të drejtë të udhëtojnë pa viza në Evropë.