Pozita e gruas në vendimmarrje nuk është e kënaqshme dhe duhet të ngritët lartë. Tani është koha që të njihet forca e gruas pa dallime etnie dhe të fuqizohet pozita e saj, u tha në konferencën ““Forumi Multietnik i Lidershipit të Grave të Reja në Kosovë”, raporton Ekonomia Online.
Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, tha se Kosova qëndron keq me numrin e femrave në vendimmarrje dhe duet bërë më shumë për emancipimin e grave nga të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovë.
Ai tha se Qeveria e Kosovës është punëdhënësi më i madh dhe diku 40 për qind e të punësuarave janë femra në sektorin publik.
“ Mendoj se është një punë jashtëzakonisht e dobishme. Edhe kjo ditë ka për qëllim emancipimin e grave nga të gjitha etnitë që jetojnë në Kosovës. Kjo është e mrekullueshme. Qeveria është punëdhënësi më i madh në nivel vendi dhe 40 për qind janë të punësuara femra në sektorin publik. Mirëpo duhet bërë më shumë për fuqizimin e gruas. Ne kemi punuar ngushtë për ta përmbushu rregullativen ligjore por mbetet ende sfidë zbatimi. Qëllimi ynë është afirmativ dhe zbatues. Qëndrojmë keq me numrin e grave në vendimmarrje. Kjo ngjarje ndihmon ne sensibilizimin tonë për fuqizimin e gruas në këtë drejtim”, tha kryeministri Haradinaj.
“… Poashtu inkurajues është fakti që me Udhëzimin Administrativ që kemi inicuar për regjistrimin e pronës së paluajtshme në emër të të dy bashkëshortëve, sot kemi 4100 çifte që kanë regjistruar pronën si të përbashkët”.
Ambasadori i Francës, Dider Chabert u shpreh se për të pasur një shoqëri më progresive është me rëndësi që të drejtat e grave të jenë të avancuara dhe të punojnë çdo ditë që ato mos të shkelen.
Ai tha se për të pasur një shoqëri të hapur dhe të barabartë, është qenësore dhe njerëzore që vlerat e femrave të jenë sa më të paraqitura në shoqëri kosovare.
“Është e rëndësishme që bota të jetë më e barabartë qoftë për të gjitha fermat qoftë nga origjina e tyre, të ketë të drejtë që t’i realizojnë gjitha të drejtat që ju takojnë “, tha ai.
Ish- deputetja e Kuvendit të Kosovës, Njomza Emini, njëherit edhe organizatore e kësaj konference tha se grave u janë bërë shumë të padrejta në të kaluarën dhe nuk llogariteshin pjesë e vendimmarrjes. Ajo tha se duhet fuqizuar potenciali i grave të reja.
“Gratë nuk llogariteshin pjesë e vendimmarrjes dhe ishin viktima të të padrejtave që u janë bërë. Tani është koha që të njohim forcën e gruas pa dallim etnie. Potencialin e grave të reja ta fuqizojmë , ta kanalizojmë për ndryshime pozitive në Kosovë. Por, ne gratë e reja mund ta japim kontributin tonë që të arrijmë rezultate pozitive”, tha Emini, raporton EO.
Organizatorja tjetër e kësaj konferencë, Mimoza Gavrani, tha se pozita dhe zëri i gruas duhet të ngritët lartë.
“Zëri dhe pozita e gruas duhet të ngritët lartë. Sot është një ditë historike për të gjitha gratë sidomos për gratë që vijnë nga komunitet e ndryshme, ngase pozita e gruas duhet të ngritët lartë”, tha ajo.