Kryeministri Ramush Haradinaj ka pritur në takim ministrin e Jashtëm slloven Karl Erjavec.
Haradinaj tha se “ekziston një klimë e mirë mes Kosovës dhe Sllovenisë për bashkëpunim në shumë fusha. Sllovenia është një ndër investitorët më të mëdhenj në vend dhe Kosova është e interesuar që ta vazhdojë këtë partneritet ekonomik, duke e përmirësuar çdo herë e më shumë balancin e eksportit dhe importit me këtë vend”.
Kryeministri kërkoi vazhdimin e përkrahjes së Sllovenisë në planin ndërkombëtar. “Përkrahja juaj për njohjet e reja, anëtarësimin në INTERPOL, UNESCO, në procesin e integrimit euroatlantik ka domethënie të madhe për ne. Ne jemi një vend euroatlantik – Ky është destinacioni ynë”, tha kryeministri Haradinaj, i cili ritheksoi edhe njëherë qëndrimin e Kosovës për të respektuar secilin etnitet në vend.
“Krijimi i ushtrisë së Kosovës me mandat kushtetues, nuk e ndryshon balancin e sigurisë në rajon, për më tepër kontribuon në të”, tha kryeministri Haradinaj.
Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Republikës së Sllovenisë, Karl Erjavec, vlerësoi arritjet dhe progresin e madh që është bërë në Kosovë në këto 10 vjet të shtetësisë, duke shprehur gatishmërinë dhe përkushtimin e vendit të tij për bashkëpunimin bilateral në fushën e ekonomisë dhe përkrahjen e Kosovës në rrugën e saj integruese, anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare dhe në udhëheqjen e iniciativave rajonale.
Pjesë e takimit ishin edhe zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Behgjet Pacolli, ambasadori i Kosovës në Slloveni, Nexhmi Rexhepi dhe ambasadori slloven në Kosovë, Bojan Bertoncelj.