Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj, ka kujtuar të rënët në Ratkoc dhe Zatriq me 18 prill të vitit 1999.
Haradinaj ka thënë se historia e re është shkruar nga djemtë e brezit të luftëtarëve që nuk kursyen jetën për liri.
“Historinë e re të luftës së gjatë për çlirim nga zgjedha e robërisë, e shkruajtën me përpjekje të mundimshme djemtë e brezit të luftëtarëve që nuk kursyen për liri, as mundin e as jetën”, ka thënë Haradinaj.
Postimi i plotë:
Historinë e re të luftës së gjatë për çlirim nga zgjedha e robërisë, e shkruajtën me përpjekje të mundimshme djemtë e brezit të luftëtarëve që nuk kursyen për liri, as mundin e as jetën.
Sot duke kujtuar dëshmorët e Ratkocit të Rahovecit; Sahit Krasniqi, Visar Hoti, Safet Latifi dhe Naser Krasniqi, ne nderojmë të gjithë të rinjtë shqiptarë që ndjekën rrugën e lirisë dhe çlirimit, pa njohur frikë e pengesa.
Ata iu bashkuan organizimeve ilegale, për të përgatitur të domosdoshmën që po vinte, rezistencën e armatosur. Kështu, shpërthimi i luftës kundër pushtuesit për ta erdhi shumë natyrshëm, si pjesë e një procesi, një rruge që ata kishin kohë që e trasonin.
Me 18 prill 1999, në mbrojtje të pozicioneve të UÇK-së në Zatriq, ranë heroikisht Visari e Safeti, duke u bërë mburojë e pakapërcyeshme për armiqtë.
Trashëgimia që e lanë pas, të na shërbejë si shtytës në përpjekjet tona për një Kosovë të sigurtë, përkrah Amerikës, NATO-s e botës demokratike.