Kryeministri i vendit, Ramush Haradinaj, ka vendosur lule tek përmendorja e Isa Boletinit me rastin e 103 vjetorit të vrasjes së tij në Podgoricë.
Duke kujtuar thënien e Boletinit “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria”, Haradinaj përmes një statusi në rrjetin social Facebook, ka thënë që heroi me veprimtarinë e tij la një porosi që atdheu nuk vihet në pazar.
“Isa Boletini e identifikoi veten me fatin e atdheut. “Unë jam mirë, kur është mirë Shqipëria” edhe sot duhet të na udhëheqë në kërkimin për të drejtën tonë. Nëse në historinë tonë kombëtare kërkojmë vlerat më të larta atdhetare, ato i gjejmë në figurën e Isa Boletinit. Me vet veprimtarinë e tij jetësore na la një porosi, se atdheu nuk tjetërsohet dhe nuk vihet në pazar. Roje dhe dëshmi është vet prehja e tij në Boletin. Figura e Isës edhe tani le të jetë shembull për të gjithë se interesi kombëtar e shtetëror vendoset para çdo interesi tjetër. Lavdi e përjetshme”, ka shkruar Haradinaj.