Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës (AAK), Ramush Haradinaj nëpërmjet një postimi në Facebook ka kujtuar Masakrën e Belegut dhe të rënët në Shishman të Bokës.
Haradinaj theksoi se liria e vendit tonë erdhi me çmim shumë të lartë. “Sakrifica e të rënëve është gjithherë motivim për ta dashur Atdheun e për ta ruajtur lirinë e tij”.
Ndër të tjera ai u shpreh se ndjehet i përulur para kësaj sakrifice dhe se duhet të mbetet obligim që si shoqëri e si shtet të angazhohemi në zbardhjen e fatit të të pagjeturve dhe vendosjen e drejtësisë për ta. “29 marsi, na kthen në kujtesë martirizimin e dyzetenëntë motrave e vëllezërve tonë në Beleg të Deçanit. Edhe pse të paarmatosur, ata nuk u kursyen nga barbarët. 29 marsi, na kujton përballjen heroike në Shishman të Bokës, rënien e katërmbëdhjetë bashkëluftëtarëve nga Dukagjini, Pashtriku e Drenica”, shkroi Haradinaj në faqen e tij zyrtare në Facebook.