Daut Haradinaj, shef i Grupit Parlamentar të Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, ka thënë se ndonëse ish-kryeministri Ramush Haradinaj mund të ketë pasur ndonjë mospajtim, ai ka pasur respektin e amerikanëve.
Haradinaj tha se AAK kurrë nuk e ka gënjyer ndonjë zyrtar amerikan, duke aluduar se Kurti ka prishur raportet me ta pikërisht për shkak të mungesës së sinqeritetit.
“Nuk iu kemi thënë po në sy e jo pas shpine. Grenelli tha, më ka këqyrë drejt në sy dhe më ka thënë PO. Kurrë Kosova ushtri nuk kish bo, pa qenë amerikanët”, ka thënë Haradinaj.
Ai tha se amerikanëve u është thënë qartë se Qeveria e Kosovës nuk mund të heq dorë nga Kosova e 17 Shkurtit.
“Asnjëherë nuk janë prish me neve, edhe pse kanë mundur të mos iu pëlqejnë qëndrimet tona. Por në kemi kërku garancë me shkrim për Kosovën e 17 Shkurtit”, ka theksuar ai.
Ndërsa, Blerim Kuçi tha se ish-kryeministri Haradinaj ka fituar respektin e amerikanëve pikërisht pse ka mbajtur raporte të sinqerta me ta.
Ai ka përmendur Ditën e Falënderimeve, kur Haradinaj ishte ftuar dhe ishte marrë në konsideratë nga zyrtarë të rëndësishëm të shtetit amerikan.
“Ai ka qenë i sinqertë në çdo takim. Kryetari i Shtetit është ulë në tavolinën e Haradinajt në Ditën e Falënderimeve”, ka thënë Kuçi.