Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka treguar se i kishin ndarë rrugët me Vetëvendosjen në vitin 2014, kur Albin Kurti kishte kërkuar që protestuesit të hyjnë me forcë në ndërtesën e Qeverisë, për ta rrëzuar “regjimin e Thaçit”.
“Jemi ndarë, sepse kemi ardhur në një pikë në protesta, kur është kërkuar që me hy me forcë me marrë objektin e Qeverisë. E kam pyet, ka dëshmitarë, çfarë do të bëjë policia në këtë rast. Ata gjuj, këta gjuj. Më tha: ‘Pa gjak nuk rrëzohet regjimi'”.
“Nuk kam dashtë me derdhë gjak për pushtet, prandaj i ndamë rrugët me Vetëvendosjen”, u shpreh Haradinaj.
“Ky mashtruesi ka dashtë me i shti ushtarët e Ramushit, të UÇK-së, të Dukagjinit, me luftu me policinë tonë në ndërtesë të Qeverisë”.
Duke iu përgjigjur këtyre akuzave, Kurti tha se i kishin prishur bllokun anti-Thaçi, të njohur si VLAN, pasi të gjitha partitë e tjera (LDK, AAK dhe Nisma) vraponin se cila do të hynte në bashkëqeverisje me PDK-në e Hashim Thaçit.
“Kur e kam pyetur Haradinajn pse po donte të shkonte me PDK-në, a e dini cila ishte përgjigja e tij: ‘M’u kanë lodhë mashqit”, u shpreh Kurti.
Në replikën e radhës, Haradinaj tha se Kurti me qëllim po i shmanget temës së debatit. “Përgjigjen se a do të vazhdojë me dialogun e teknikëve e morëm. kryeministri po ikën thelbit për çka e kemi thirrur këtë debat”.
“Unë vetëm i kërkova qeverisë ta ndalë dialogun teknik dhe të kalojë në çështje të njohjes, që është përgjegjësi e kryeministrit. Është më mirë të ndalet dialogu i teknikëve, sepse po përfiton kohë Serbia”.
“Çfarë faji bëra sot që i kërkova qeverisë që ta ndalë dialogun e teknikëve? Pse ju djegë kaq shumë? Pse po e fshihni të vërtetën?”ka theksuar Haradinaj.
Kuvendi i Kosovës po diskuton sot në lidhje me zhvillimet në dialogun Kosovë – Serbi, debat i kërkuar nga Grupi Parlamentar i AAK-së.