Ish-kryeministri Ramush Haradinaj ka reaguar pas shfuqizimit të vendimit nga ana e Qeverisë së Kosovës, i cili ua kthen pagat gjyqtarëve dhe prokurorëve ashtu siç i kishin para se t’i merrnin me rritje. Ramush Haradinaj shprehet se sot kryeministri Kurti ka goditur prokurorët dhe gjykatësit.
Në reagimin e tij në Facebook, Haradinaj thotë se Kurti e ka mision shkatërrimin e shtetit dhe sot ua përgjysmoi pagat prokurorëve dhe gjykatësve.
“Ftoj Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia”, është shprehur ai.
Postimi i tij i plotë:
Albin Kurti ka marrë mision shkatërrimin e shtetit. Pas shkaktimit të rrezikut në veri, ngecjes në dialog dhe prishjes me amerikanët, sot ka vendosur ta shkatërrojë sistemin e drejtësisë.
Me vendimin e qeverisë që të shfuqizohet vendimi im për rritjen e pagave për gjyqtarë dhe prokurorë, nga sot drejtësia do të punojë me paga të përgjysmuara.
Prokurorët dhe Gjyqtarët që çdo ditë mbrojnë shtetin dhe drejtësinë, sot janë goditur nga Kryeministri i shkatërrimit.
Ftoj Kurtin që menjëherë të kthejë pagat e Prokurorëve dhe Gjyqtarëve në nivelin që kanë qenë sepse përndryshe mund të shkatërrohet nga brenda njëri prej segmenteve më të rëndësishëm të një shteti, drejtësia.
Nëse nuk ndalesh pasojat do të jenë të pariparueshme!