Kryeministri në detyrë, Ramush Haradinaj në 121 vjetorin e Lidhjes së Pejës tha se bashkoi shqiptarët për të ruajtur territorin që e synonin armiqtë.
Haradinaj në një postim në rrjetin social Facebook shkruan se Lidhja e Pejës ndikoi dhe formësimin e mëtejmë të ndjenjës kombëtare tek të gjithë shqiptarët.
“Lidhja e Pejës bashkoi shqiptarët para 121 vitesh, për të ruajtur territorin të cilin e synonin armiqtë. Nderojmë të gjithë ata që morën pjesë në këtë kuvend kombëtar, e veçanërisht prijësin e tyre Haxhi Zekë Biberin. Lidhja e Pejës, ndikoi në ruajtjen dhe formësimin e mëtutjeshëm të ndjenjës kombëtare tek të gjithë shqiptarët”, ka shkruar Haradinaj.
Si erdhi deri të formimi i Lidhjes së Pejës?
Në fund të shekullit 19-të tokat e banuara me shqiptarë u vunë nën rrezik, pasi fqinjët ballkanikë filluan aktivisht agresive për të pushtuar territoret e Maqedonisë, që do të shpinte drejt Luftërave Ballkanike. Territori i kontestueshëm i përfshinte edhe katër vilajetet shqiptare.
Patriotët shqiptar filluan përgatitjet për krijimin e një organizate të re për t’iu bërë ballë këtyre rreziqeve në vjeshtën e vitit 1896. Takimi i parë u mbajt në mars 1897, në Gjakovë kur u krijua Besëlidhja Shqiptare. Në nëntor u mbajt edhe një takim tjetër në Pejë, ku morën pjesë 500 veta pas së cilës Stambolli intervenoi dhe shpërndau Besëlidhjen.
Në këto rrethana të ndërlikuara rifilluan përpjekjet e atdhetarëve shqiptarë për bashkimin e gjithë popullit dhe për krijimin e një lidhjeje të re, e cila, sipas shembullit të Lidhjes së Prizrenit, do t’i udhëhiqte shqiptarët në luftën për mbrojtjen e tërësisë tokësore të Shqipërisë dhe për çlirimin e saj.
Vatër e përpjekjeve të tilla për formimin e një lidhjeje të re, ashtu si në vitet e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) edhe tani, më 1899, u bënë përsëri qytetet e vilajetit të Kosovës dhe sanxhaku i Dibrës, të cilat kërcënoheshin drejtpërdrejt nga qarqet e Serbisë, të Bullgarisë e të Malit të Zi.
Lidhja e re shqiptare u krijua pas një pune të madhe përgatitore, organizative e politike, që atdhetarët shqiptarë brenda vendit, të udhëhequr nga Haxhi Zeka dhe shoqëritë patriotike jashtë atdheut, sidomos ato të Bukureshtit dhe Komiteti Shqiptar i Stambollit, bënë në fundin e vitit 1898 dhe në janar të vitit 1899. Gjatë kësaj kohe u mbajtën mbledhje të gjëra të përfaqësuesve të popullsisë së qyteteve e të rrethinave, si në Pejë, Mitrovicë, Prishtinë, Vushtrri, Drenicë e në qendra të tjera të vilajetit të Kosovës, ku shqiptarët dhanë besën dhe shprehën gatishmërinë për të formuar lidhjen.
Këto mbledhje të njëpasnjëshme të popullsisë shqiptare, si edhe letërkëmbimi i dendur i Haxhi Zekës me qendrat e ndryshme të vilajetit të Kosovës, të Shkodrës, Manastirit e të Janinës, tregojnë se organizatorët e Lidhjes kishin ndërmend të thërrisnin një kuvend të përgjithshëm shqiptar, ku të merrnin pjesë delegatë nga të gjitha krahinat e Shqipërisë dhe të të gjitha besimeve, myslimanë, katolikë e ortodoksë.
Edhe përfaqësuesit e popullsisë së Shkodrës, Dibrës, Prishtinës, Pazarit të Ri, si edhe të Shqipërisë së Jugut, kërkonin që të thirrej sa më shpejt kuvendi që po përgatitej për organizimin e shqiptarëve në një lidhje të përgjithshme.
Në këtë periudhë përgatitore udhëheqësit e lëvizjes shqiptare përcaktuan edhe programin e këtij kuvendi, i cili, i përpunuar tanimë që në kohën e Lidhjes së Prizrenit (1878-1881) dhe në memorandumet shqiptare të viteve 1896-1898 përmbante dy çështje themelore: ruajtjen e tërësisë territoriale të vendit dhe formimin e një Shqipërie autonome, ku të përfshiheshin të katër vilajetet shqiptare.
Fryt i këtyre përpjekjeve ishte thirrja e Kuvendit Kombëtar Shqiptar, i cili i zhvilloi punimet e tij në Pejë më 23-29 janar të vitit 1899, ku morën pjesë përfaqësues të parisë dhe të popullsisë së vilajetit të Kosovës, si dhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të Manastirit e të Janinës. Këtu u shpall formimi i lidhjes së re shqiptare që, sipas shembullit të Lidhjes të Prizrenit të vitit 1878, u quajt Lidhja e Pejës. Kryetar i Kuvendit dhe i Komitetit drejtues të Lidhjes u zgjodh Haxhi Zeka.
Kuvendi i zhvilloi punimet e tij në formën e mbledhjeve të ngushta, ku merrnin pjesë një numër i vogël delegatësh, ose duke organizuar tubime të gjera, me 450-500 pjesëmarrës, përfaqësues të shtresave të ndryshme të popullsisë së vilajetit të Kosovës dhe të vilajeteve të tjera shqiptare. Ndërsa 36 delegatët, që gëzonin të drejtën e votës, vinin nga qytetet e vilajetit të Kosovës dhe ishin përfaqësues të shtresave të mesme qytetare e fshatare, mësues të shkollave gjysmë të mesme dhe të medreseve turke, nëpunës të administratës lokale, çifligarë të mëdhenj, nëpunës të lartë, klerikë etj.
Midis tyre ishin Haxhi Zeka, Halil Hasan pashë Begolli, Myderiz Ismaili, Myderiz Abdullahu, Myfti Salihu, Bajram Curri, Myderiz Mehmet Hamdiu, Mehmet Aqifi, Zenel Beu, Ali Pashë Draga nga Rozhaja, Ismail Haki Pashë Tetova, Abdyl Halimi, Mehmet Sherifi, Myderiz Abdyli, Naxhi Mehmet Sulejmani, Mehmet Aqifi, Mehmet Tahiri, Mehmet Murati ng a Senica etj.
Përveç 36 delegatëve të vilajetit të Kosovës, që kanë vënë nënshkrimet e tyre në vendimet e Kuvendit të Pejës, në këtë tubim morën pjesë edhe përfaqësues të veçantë të vilajeteve të tjera shqiptare, të Shkodrës, Manastirit e të Janinës. Sanxhaku i Dibrës i vilajetit të Manastirit u përfaqësua nga Selim Rusi, intelektual dhe atdhetar i shquar i kësaj treve. Mjaft delegatë nga qytetet e vilajetit të Shkodrës, Manastirit e të Janinës, që nuk mundën të shkonin në Kuvendin e Pejës për shkak të pengesave që u nxorën autoritetet osmane, i kumtuan Kuvendit se i miratojnë vendimet e tij dhe se ruajnë të drejtën për të marrë pjesë në Lidhjen Shqiptare.
Kuvendi i janarit të vitit 1899 u quajt nga organizatorët e tij si një tubim i parë, paraprak, i cili do të pasohej nga një kuvend ose kongres më i përgjithshëm shqiptar.
Kuvendi i Pejës mori vendime të rëndësishme për zhvillimin e mëtejshëm të Lëvizjes Kombëtare Shqiptare, siç ishin Rezoluta (Kararnameja) prej 11 pikash dhe Akti i Besës prej 12 pikash, që u miratuan në mbledhjen me dyer të mbyllura të Kuvendit më 28 janar dhe u shpallën publikisht më 29 janar 1899.
Në vendimet e Kuvendit u shpall formimi i Lidhjes ose, sikurse quhej në Rezolutë, i Ittifakut dhe u vendos Besa ndërmjet shqiptarëve. Lidhja shihej si një organizatë e përgjithshme dhe unike kombëtare, që do të bashkonte në gjirin e saj gjithë shqiptarët, gegë e toskë, myslimanë e të krishterë. Për të arritur këtë bashkim u vendos që të ndaloheshin gjakmarrjet, armiqësitë e grindjet dhe parashikoheshin dënime të rrepta si për këto, ashtu edhe për veprimet e tjera që cenonin rendin publik.
Lidhja përcaktoi si detyrë kryesore e të dorës së parë mbrojtjen e tërësisë territoriale të Shqipërisë kundër çdo orvatjeje që Serbia, Bullgaria, Mali i Zi dhe Greqia do të ndërmerrnin për copëtimin e trojeve shqiptare. Kuvendi e vuri theksin sidomos te rreziku i aneksimit të vilajeteve shqiptare të Kosovës e të Manastirit dhe shprehu gatishmërinë për të mobilizuar gjithë shqiptarët në rast se atdheu sulmohej nga cilado anë qoftë dhe veçanërisht në rast se sulmoheshin këto vilajete, që shtetet fqinje dhe Fuqitë e Mëdha i përfshinin në të ashtuquajturën Maqedoni. Në rast lufte ishte vendosur të bëhej një ndarje e tillë e forcave shqiptare, që do të mbronin atdheun: ato të sanxhakut të Prishtinës, të Pazarit të Ri e të Dibrës do të ruanin kufijtë verilindorë kundër Serbisë, forcat e Pejës, të Plavës dhe të Shkodrës kufirin me Malin e Zi dhe ato të vilajetit të Janinës (të Shqipërisë së Jugut) do t’i kundërviheshin Greqisë.
Në këto kushte Lidhja e Lëvizja Kombëtare Shqiptare në tërësi pësuan humbje të rënda, që çuan në rënien e tyre dhe të luftës për autonominë e Shqipërisë.
Në fundin e vitit 1900, Lidhja e Pejës u shtyp pa arritur të përmbushte detyrat e Lëvizjes Kombëtare Shqiptare. Megjithatë, ajo la mbresa të thella në ndërgjegjen e popullit dhe ushtroi një ndikim të fuqishëm në organizimin e mëtejshëm të luftës së armatosur kundër sunduesve osmanë.