Në lagjen “Kalabria” në kryeqytet, që njihet si deponia më e madhe në Prishtinë, ka nisur zyrtarisht aksioni më i madh për pastrimin e Kosovës.
Aksionit në Kosovë i janë bashkuar edhe vullnetarë nga Tirana e Durrësi, në krye me ministrin e Turizmit dhe Mjedisit në Shqipëri, Blendi Klosi, raporton Ekomomia Online.
Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj, tha se po e nisin aksionin për ta pastruar mbeturinat e dy dekadave të mëparshme.
“Falënderoj të gjithë që jeni këtu e sidomos fëmijët, rininë e të gjithë edhe institucionet e vendit tonë, qeverinë, ambasadorët, FSK, KFOR-in dhe ministrin nga Shqipëria Klosin, dhe të gjithë që sot jeni këtu për ta pastruar Kosovën. Në ditën botërore për të pastruar, për një botë të pastër edhe ne e fillojmë aksionin me pastru Kosovën pa dallim as gjini, gjuhë, feje, etine ose profesioni pra të gjithë sot jemi së bashku me e pastru vendin tonë”, tha ai.
Ushtruesi i detyrës së ministrit të Mjedisit dhe Planifikimit Hapësinor, Fatmir Matoshi, i bëri thirrje të gjithë qytetarëve të Kosovës që të bëhen pjesë të këtij aksioni.
Matoshi bëri të ditur që në tërë territorin e Kosovës janë angazhuar rreth 100 mijë vullnetarë që po bëjnë pastrimin e vendit.
Luan Hasanaj nga “Let’s do it Kosova”, tha se ky mobilizim është model për shumë vende në rajon dhe Evropë.
Aksioni po mbahet në shumicën e komunave të Kosovës dhe në mbështetje kanë dalë qindra mijëra vetë.