Kryetari i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj përmes një video deklarate, iu është drejtuar qytetarëve të Istogut për zgjedhjet e 17 tetorit.
Haradinaj ka thënë se mburret me Istogun, njerëzit e zotë dhe resurset që ka, e gjithashtu si vendlindje e Presidentit historik Ibrahim Rugova.
“Për t’u zhvilluar Istogu, sot kërkohen njerëz të zotë, të fuqishëm e vendimmarrës, kërkohet kryetari i komunës, Bekë Berisha”, tha mes tjerash Haradinaj.
Ai ka siguruar qytetarët e Istogut se me Bekën Berishën kryetar dhe me ekipin rreth tij, Istogu do të kalojë komunat e tjera me zhvillim dhe do të jetë shembull i qeverisjes së mirë.
Haradinaj tha se rreth Bekë Berishës janë mbledhur ekspertë të zotë, njerëz të dalluar dhe familjarë të mirë.
“Me 17 tetor, ju e keni adresën e fitores, numrin 121 Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës dhe kryetarin tuaj, Bekë Berisha, bashkë me kandidatët për Kuvendin Komunal”, ka përfunduar Haradinaj.