Kryetari i AAK-së dhe njëherësh kandidat për president, Ramush Haradinaj, tha se do të ndihmojnë në rimëkëmbjen e ekonomisë me planin prej 1 miliard eurosh.
“Ne kemi punuar një plan si me rimëkëmbë ekonominë me rreth 1 miliard euro. Dhe po mendojmë të marrim 600 milionë euro hua”, tha Haradinaj.
Haradinaj gjatë vizitës në restorantin “Collection” në Emshir, tha se do të ndihmojë që Kosova të anëtarësohet në NATO.
“Kushdo që fiton zgjedhjet ne do i ndihmojmë si president, pasi edhe jam kandidat për president. Si Kosovë mund t’i ndihmojmë aleatëve rreth procesit deri në NATO”, shtoi ai.
Tutje, Haradinaj tha se një prej punëve që kanë bërë gjatë kohës sa kanë qenë në Qeveri, është kthimi i besimit të vendeve që e përkrahin Kosovën.
Në anën tjetër, Pranvera Ejupi – Hajzeraj, kandidate për deputete tha se aleanca e ka një program të përpiluar mirë për vitet 2021-2025.
Ajo tha se duhet të lobojmë për Kosovën dhe ta prezantojmë në mënyrën më të mirë të mundshme.
“Për ne është i rëndësishëm edhe anëtarësimi në NATO. Na kemi edhe biznesmen të suksesshëm në diasporë”.
Ajo theksoi së aseti kryesor është rinia dhe duhet investim më të madh në rini.
“Edhe unë jam diasporë dhe e prezantojmë më së miri kombin tonë jashtë vendit dhe vlerat e luftës janë të çmuara”, u shpreh ajo.