Kryeministri Ramush Haradinaj ka mbajtur konferencë për medie për të folur rreth pjesëmarrjes së Kosovës në samitin e Londrës. Haradinaj tha se Kosova është trajtuar në mënyrë të kujdesshme nga kryeministrja e Britanisë Theresa May dhe se delegacionin e Kosovës, pjesë e të cilit ishte edhe Haradinaj, e ka bërë të ndihet si në shtëpi, raporton Ekonomia Online.
Haradinaj tha se ka shfrytëzuar këtë takim për t’u takuar edhe me kancelarin e Austrisë, Sebastian Kurtz dhe kancelaren e Gjermanisë, Angela Merkel. Me këtë të fundit Haradinaj tha se kanë biseduar për Kosovën dhe BE-në. Sipas Haradinajt, Merkel ka thënë se Kosova ka ende punë për të fituar liberalizimin e vizave.
“Njëra nga ngjarjet e rëndësishme për Kosovën ishte Samiti i Londrës. Kosova ka marrë pjesë në dy ditët e punës. Ditën e parë kam biseduar me ministrin e Forcave Tokësore të Britanisë për tranzicionin e FSK-së, me Londrën jemi mirë në këtë drejtim. Kemi marrë pjesë në punimet e samitit, Kosova është mirënjohëse ndaj BE-së për ndihmën që i kanë dhënë në siguri”.
“Kosova është e gatshme të bëjë partneritet në këto tema, në siguri. Përmes tranzicionit të FSK-së dhe tema tjera. Kryeministrja May ishte shumë e kujdesshme ndaj Kosovës, na ka bërë të ndihemi si në shtëpi. Patëm takim me kancelaren e Gjermanisë, Merkel dhe kancelarin e Austrisë, Kurtz. Me Merkelin ishte agjenda për Kosovën dhe BE-në, ishte takim i frytshëm, ishte takimi i saj i vetëm bilateral. Te vizat, kancelarja ishte e kujdesshme, tha se mendojmë që keni ende punë, presim vlerësimin e komisionit”.
Tutje, Haradinaj ka thënë se liberalizimi i vizave nuk është betejë e humbur, por siç ka thënë, kanë ende punë. Ai ka deklaruar se sivjet do të hiqen vizat, raporton EO.
“Liberalizimi s’është betejë e humbur, por kemi punë. Në këshill do të jetë përsëri. Po (ka sivjet liberalizim), javët janë në pyetje. Nëse shtyhet në vjeshtë është më problem se është koha e zgjedhjeve në BE”.
Kryeministri ka thënë se Kosova përfaqësohet në dialog me të gjitha institucionet, të cilave u prin presidenti. Haradinaj deklaroi se edhe ai është pjesë e dialogut.
Haradinaj i ka bërë thirrje LDK-së që të mos qëndrojë e mbyllur, por të hapet për konsulta rreth krijimit të konsensusit për përfaqësim në dialogun me Serbinë.
“Mendoj se Kosova s’mund të kthehet më prapa, përfaqësimi duhet të ndodhë përmes institucioneve. Është klimë më e mirë, Kosova përfaqësohet nga institucionet të cilave u prin presidenti, partitë janë të nevojshme, edhe LDK edhe VV. Jam pjesë e dialogut edhe unë dhe aleanca”.
“Në situatë që e kemi , i bëjë thirrje LDK-së të jetë e hapur për konsulta. Nuk është mirë me u mbyllë, kërkush s’ka të drejtë të qëndrojë jashtë”.
Kryeministri Haradinaj ka thënë se roli i Gjermanisë, Britanisë dhe ShBA-së në dialogun me Serbinë është shumë i rëndësishëm, raporton EO.
“Dialogu me Serbinë, Gjermania është faktor i rëndësishëm. Është shumë i nevojshëm roli i kancelares Merkel, i Britanisë dhe Uashingtonit. Pa hyrë të mëdhenjtë në punë nuk besoj që kjo punë kryhet”.