Ka filluar sot në Sofje të Bullgarisë, Samiti i Evropës dhe vendeve të Ballkanit Perëndimor, i njohur si Samiti i Sofjes, në të cilin po merr pjesë edhe Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj.
Samiti do të udhëhiqet nga Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk, i cili do ta përfaqësojë Evropën bashkë me Presidentin e Komisionit Evropian, Jean Claude Juncker.
Krahas krerëve shtetërorë të vendeve, pjesë e këtij samiti do të jenë edhe presidenti i Parlamentit Evropian, Antonio Tajani, Përfaqësuesja e lartë e BE-së për Politikë të Jashtme, Federica Mogherini dhe Komisioneri i BE-së për Politika Evropiane të Fqinjësisë dhe Negociata të zgjerimit, Johannes Hahn.
Tema kryesore e këtij samiti do të jetë konektiviteti, në fushën e transportit, energjisë, infrastrukturës digjitale, edukimit, inovacioni dhe ekonomia digjitale.
Presidenti i Këshillit të Evropës Donald Tusk, përkitazi për samitin, ka thënë se Evropa duhet të luaj një rol aktiv në këtë transformim, meqë do të jetë realitet i të gjithë evropianëve dhe se çdo gjë që do të diskutohet në këtë samit do të ketë impakt global.
Pjesëmarrësit e samitit do të nënshkruajnë një deklaratë të përbashkët, në të cilën përfshihen 13 pika dhe të cilat do të tregojnë përkushtimin për të ardhmen e përbashkët.
Përveç Presidentit Hashim Thaqi, Kryeministrit Ramush Haradinaj, në Samitin e Sofjes po merr pjesë edhe Zëvendëskryeministri dhe Ministri i Jashtëm, Behgjet Pacolli.
Kryeministri Haradinaj do të qëndrojë në Sofje edhe në ditën e nesërme, ku nis punën Forumi Ekonomik i Vjenës, që bënë bashkë Kryeministrat e Ballkanit Perëndimor dhe Kryeministrin e Bullgarisë dhe ku Kosova përfaqësohet nga vet Kryeministri Haradinaj.