Kryeministri Ramush Haradinaj edhe sot para fillimit të mbledhjes së qeverisë iu ka tërhequr vërejtjen ministrave të kabinetit të tij.
Ai tha se mos pjesëmarrja e ministrave në seancat e kuvendit është jo serioze dhe nuk ka logjikë. Sipas tij, nuk është e nevojshme që qeveria të jetë prezent gjatë gjithë seancës mirëpo të paktën gjatë kohës sa diskutohet për fushat e tyre.
Haradinaj ka ftuar ministrat që të paktën në seancë të dërgojnë një nga këshilltarët e tyre, raporton Ekonomia Online.
“Nëse një ministër nuk është në seancë është mirë më shkru një shkresë sekretarit të Parlamentit dhe është mirë me njoftua dhe kryeministrin. Dje i kemi pasur tre ministra në Paris, pak si tepër ky turizmi duhet me ia vnu mendjen pak me u marrë vesh, ku po shkojmë, pse po shkojmë. S’ka logjik si rasti i djeshëm në parlament”.
“Në parlament nuk ka nevojë me nejt qeveria gjithë ditën, por me bë mos me qëllua aty kur është tema jote është jo serioze. Unë i kam ngarkua 4 apo 5 vetë, një këshilltar i juaj duhet të jetë në seancë, një staf apo dikush. Dërgoni dikë që e përcjell seancën, të rrinë dikush i yti aty, nëse i ke pesë këshilltarë e qon një rrinë aty”.
Qeveria është duke mbajtur mbledhjen e radhës ku në rend dite për shqyrtim ka 21 pika të rendit të ditës.