Kandidati për president nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, në emisionin Argument Plus, teksa ka folur rreth programit qeverisës ku tregoi edhe fokusin e partisë së tij, tha se ajo çfarë kanë bërë ata, është se kanë punuar bazuar në gjendjen reale dhe mbi atë bazë edhe ka ardh deri të programi i detajuar që është mirëpritur si i tillë.
Haradinaj tha se ndonëse kanë synim postin e presidentit, edhe në atë rast, AAK-ja, do të përkrah edhe idetë e partnerëve potencialë.
Duke folur për arsyen pse zgjodhi të kandidonte për president dhe jo kryeministër, Haradinaj tha se ka pasur nderin që dy herë ta udhëheq vendin si kryeministër
“Për këtë arsye kemi shkuar në garën për president dhe gatishmërinë për ta përkrahu qeverinë. Kjo nuk na bën më të dobtë por na jep mundësinë ta përkrahim qeverinë në shumë çështje”, u shpreh ai.
Ndër tjera, Haradinaj tha se kërkon votën e qytetarëve për pozitën e presidentit pasi siç sqaroi ai, është shumë me rëndësi se kush është president, sepse sipas tij, presidenti është drejtues i shtetit.
Haradinaj po ashtu tha se e kanë menduar planin pesë vjeçar dhe projeksionet për këto pesë vjet.
“Mbi 20 vjet ne po punojmë që të anëtarësohemi në OKB dhe NATO. Pas 20 vjete ne as në derë nuk jemi madje as liberalizim nuk kemi. Përgjatë këtyre viteve ne e kemi humbur një brez jetë dhe shumë të rinj e kanë lëshuar Kosovën dhe ka ndodhur shumëçka. Unë nuk jam i gatshëm ta udhëheqë vendin në pritje edhe për 20 vjet nëse mbesim ende të bllokuar, prandaj shkojmë në opsionin e unionit me Shqipërinë.
Kjo është mjaft reale dhe gjasat janë që të ndodh”, tha Haradinaj.