Haradinaj ndërhyn nga Franca për ta votuar një projektligj

Prishtinë | 10 Mar 2017 | 11:45 | Nga Foto Arkiv Shkarko Videon HD

Për ta shkarkuar videon ju lutem kyçuni ose regjistroni një llogari të re!

| Regjistrohu

Projektligji për Ratifikimin e Protokollit Financiar midis Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës, dhe të Marrëveshjes për Hua për zbatimin e Protokollit Financiar ndërmjet Ministrisë së Financave së Republikës së Kosovës dhe NATIXIS, dështoi të miratohet pasi votat kundër i dhanë deputetët e AAK-së.

Por, pas një bisede që pati shefi i grupit parlamentar të AAK-së, Pal Lekaj me shefin e tij të partisë Ramush Haradinaj, me insistimin e tij ata do ta votojnë këtë projektligj për ratifikimin e marrëveshjes me Francën.

“Posa fola me kryetarin e AAK-së, Ramush Haradinaj, i cili na përshëndet të gjithëve këtu. Ai më tha që pavarësisht se çfarë ndodh me të, ta votojmë marrëveshjen me Francën, sepse ai është për qytetarët e Kosovës”, tha Lekaj.

Pas kërkesës së Lekajt, kryesuesi i seancës futi përsëri në votim këtë projektligj, i cili mori 84 vota për, meqë pro votuan edhe deputetët e AAK-së.

Ministri i Financave Avdullah Hoti në prezantimin e djeshëm të kësaj marrëveshje para deputetëve të Kuvendit bëri të ditur se “ky Projektligj ratifikon protokollin financiar në mes të Qeverisë së Kosovës dhe Qeverisë së Francës të 5 korrikut të vitit të kaluar, të nënshkruar në takimin e kryeministrave të dy vendeve në Paris, si dhe Ratifikon Marrëveshjen për hua për zbatimin e këtij Protokolli ndërmjet Ministrisë së Financave dhe të përfaqësuesit të Qeverisë Franceze – NATIXIS, e cila parasheh financimin e projektit të trajtimit të ujërave të zeza në Komunën e Prishtinë, Fushë-Kosovës dhe Obiliqit”.

Sipas tij, marrëveshja financiare me Qeverinë franceze është në vlerë 66 milionë euro dhe ka kushte mjaft të volitshme, me normë efektive të interesit vjetorë 0.036%, grejs periudhë 5 vite, si dhe një periudhë të kthimit 25 vite.

 

Të ngjashme